Kur del zë, s’është pa gjë: Gazeta “Express” vërteton ato që u thanë për “Belle Air”

Mësohet se kompania Belle Air, te dielën i kishte destinuar avionët e saj në shërbim të zgjedhjeve në Shqipëri, duke harruar kështu pjesën tjetër të klientëve, të cilët janë detyruar të blejnë bileta të tjera për në avionë të tjerë. Këtë fakt e vë në dukje gazeta Express e Kosovës.
Të dielën, një kosovar me fëmijë kishte mbetur në Aeroportin e Basel-it të Zvicrës me biletë në dorë, por pa fluturim për t’u nisur. Biletën e kishte blerë në kompaninë Belle Air, ndërsa fluturimi nuk ekzistonte fare, raporton. Kështu që ishte detyruar të blinte biletë në një kompani tjetër dhe të udhëtonte nga qyteti i Zyrihut.
Kështu i ka ndodhur edhe shumë kosovarëve me kompanitë ajrore. “Kam blerë biletën te Belle Air për të udhëtuar të dielën, ndërsa kur shkuam në aeroport, fluturimi nuk ekzistonte fare”, tregon kosovari Petrit Osmani, për Express.
Drejtuesit e Partisë Socialiste në Shqipëri, kishin denoncuar kompaninë Belle Air se po jepte bileta falas për emigrantët që të shkonin në Shqipëri për të votuar Partinë Demokratike.
Kjo kompani u akuzua nga socialistët se me ndihmën e partisë e cila ra nga pushteti në zgjedhjet e 23 qershorit, ka pasur monopolin e tregut shqiptar si kompani e afërt me njerëzit në pushtet.
Zh.
Add new comment