Kryeministri vlerëson se PD-ja po bën premtime...“duke i marrë njerëzit për budallenj”. Por sondazhi i sotshëm jep sinjale rritjeje si për PS-në edhe për PD-në

Ka një tezë që është artikuluar së pari nga kryeministri dhe po riprodhohet prej shumëkujt, sipas së cilës ajo që drejtuesit e PD-së po u thonë zgjedhësve, bazohet te prezumimi se zgjedhësit janë budallenj. E tha kryeministri këtë para dy ditësh, duke nënvizuar se “nuk duhet lënë SHQUP-i të marrë njerëzit për budallenj”. Kritika që shtrohet nga mazhoranca në këtë rast është instrumentalizimi i fushatës nga opozita, kryetari i së cilës po flet për taksat, për çmimin e energjisë dhe për rrogat. Janë premtime që lidhen në fakt me politika qeverisëse, larg rrezes së pushtetit vendor. Mirëpo ai merr ky mesazh njerëzit për budallenj? Në një pamje të parë, ndoshta, por në realitet jo. Zgjedhjet në Shqipëri janë përherë proces me ngarkesë politike edhe kur janë zgjedhje vendore. Ta zëmë, zgjedhje lokale ishin edhe ato të 2011-ës në Tiranë, por nuk mund të pranohet se vota që u dha, sipas të gjitha rezultateve të preferuara, ishte thjesht për kandidatët. Aspak. Vota ishte politike. Sidomos në Tiranë. Kjo sepse zgjedhjet janë një raund prove për qeverisjen. Në këtë pikëpamje opozita po e sheh aspektin politik, (ndonëse nuk ka zgjedhje jopolitike) si primar, me synim amplifikimin e pakënaqësive. Nga ana tjetër ka edhe një arsye tjetër(spekulative) pse këto zgjedhje i japin të drejtë opozitës që t’i përdorë ato politikisht. Sot u publikua me bujë të madhe, ndonjë media e përcillte edhe si lajm urgjent, një sondazh i organizuar nga "A1Report", një televizion afër mazhorancës. Rezultatet: nëse do të votohej më 20 maj, pra sot, PS-ja do të merrte 43% të votave, ose 1.6% më shumë sesa në vitin 2013, kurse PD-ja 34%, ose 3.4% më shumë sesa në 2013-ën. Të vihet re rritja e PD-së, një parti që nuk ka bërë asnjë analizë pas humbjes dhe drejtohet nga një kryetar që nuk ka të shënuar asnjë sukses në karrierën e vet, përveç dështimeve dhe katapultimit. Ku t’i kërkojmë rrënjët e këtij kryqëzimi shifrash? Dhe a mundet që kjo rritje të jetë vetëm pasojë e budallallëkut që ka mbërthyer një pjesë votuesish? Ndonjë sociolog edhe mund të thoshte kështu, por një kryeministër vështirë. Edhe sikur të pranojmë se ligjërimi i PD-së në këto zgjedhje është një budallallëk me brirë, kjo rritje (teorike) ndoshta vjen ngase absurdi dhe mashtrimi mbeten e vetmja kurë që pranohet në kushtet e një pakënaqësie në rritje. Edhe kur kjo pakënaqësi përkufizohet si “pasojë e reformave të domosdoshme dhe antipopllore”. Në kushtet kur të dyja partitë gënjejnë rregulisht, suksesi përcaktohet nga rregulli cinik se kush duket më bindës në gënjeshtrat e veta. Të gjitha zgjedhjet e fundit e thonë këtë. Përndryshe, këtë vakum do të duhet ta kishte mbushur mazhoranca dhe qeveria në emër të punëve të bëra dhe një besimi të ri me votuesin. Me sa duket këto raporte janë ende larg, edhe pse për shumëkënd i kanë hapur rrugë një lajmi: LSI-ja regjistrohet me rënie.
s.z
Add new comment