Kritika edhe në Kosovë për dekoratat e Presidentit të Shqipërisë. Organizata e Veteranëve: “Po keqpërdor pozitën dhe po fut përçarje mes shqiptarëve”

Postuar në 19 Shkurt, 2015 07:41

Dekoratat e Presidentit të tanishëm të Shqipërisë, Bujar Nishani bëhen objekt kritikash dhe pakënaqësie edhe në Kosovë. Dhe vërejtja është e njëjta; Bujar Nishani bën politikë me Dekoratat, për të mos thënë që ka një Politikë Dekorimesh. Është Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së që ka përcjellë një deklaratë zyrtare lidhur me dekorimet e fundit të Nishanit me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. “Si Organizatë e Veteranëve të Luftës e UÇK-së, shprehim pakënaqësinë dhe indinjatën tonë lidhur me këto dekorime, të bëra në këtë datë historike, pasi që implikimet politike në dhënien e këtyre dekoratave janë të mëdha dhe shumë tendencioze. Pa u ndalur në emra të përveçëm të të dekoruarve, ia kujtojmë Presidentit Nishani, se vija politike paqësore e konkretisht bartësi i saj, Njeriu i Velanisë, asnjëherë për të gjallë të tij, në asnjë fazë të luftës për liri as pas saj, nuk e ka njohur as nuk e ka pranuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madje, e ka quajtur ‘dorë e zgjatur e Serbisë’...Edhe pas përfundimit të luftës, të cilën e fitoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës me përkrahjen e aleatëve të NATO-s në krye me SHBA-të, Njeriu i Velanisë asnjëherë për të gjallë të tij nuk e mori guximin të shkojë në Prekaz për të nderuar sakrificën e Familjes Jashari, as të asnjë pjesëtari të UÇK-së në mbarë Kosovën. Është e ulët që Presidenti i Shtetit Amë, si personalitet që përfaqëson frymën e unitetit të kombit, të bëjë veprime të instrumentalizuara dhe të keqpërdorë pozitën e të parit të shtetit të futë përçarje brenda shqiptarëve”, thuhet në deklaratë. “ResPublica” shkruajti se dekorata e Nishanit për Ahmet Krasniqin, ish-ministër i Mbrojtjes së FARK-ut, vinte ndesh me ligjin e Kosovës për veteranët e luftës. Aq më tepër që Krasniqi është vrarë në Tiranë dhe ngjarja nuk është zbardhur asnjëherë. Por përmbajtjen dhe mesazhin e dekoratave e jep më mirë fakti i pranisë së Sali Berishës në ceremoni. Dhe për këtë të fundit OVL-ja ka një qëndrim: “Janë skandaloze veprimet e tij kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në territorin e Shtetit Shqiptar, derisa në krye të tij ishte Sali Berisha, ku përveç tjerash edhe i arrestoi e mbajti ne burgje, Komandantin Legjendar, Adem Jashari dhe Heroin e madh të luftës së UÇK-së Komandant Zahir Pajazitin. Madje stafi më i ngushtë i Berishës, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të ngushtë të familjes së tij, për vite të tëra mblodhën materiale kundër UÇK-së me qëllim të komprometimit dhe shkatërrimit të strukturave të UÇK-së që arritën ta mbijetojnë luftën”, thuhet në reagim.
http://koha.net/?id=27&l=45406
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.