Kredi 32.1 milionë euro nga BB për shëndetësinë. Spitalet e vogla me 800 shtretër, do mbulohen sigurimet për 65% të të varfërve

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi sot një financim nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD)prej 32.1 milionë Euro për Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri. Kostoja totale e projektit është36.1 milionë Euro dhe pjesa tjetër bashkë-financohet nga Qeveria shqiptare. Projekti do të mbështesë përmirësimin e monitorimit dhe menaxhimit të cilësisë si dhe reformimin e sistemit të financimit duke përfshirë këtu vlerësimin e alternativave për të zgjeruar mbulimin nga sigurimet brenda hapësirës ekzistuese fiskale.
Nga fundi i projektit pritet të racionalizohet me 800 numri total i shtretërve në spitale të vogla në rrethe, duke përmirësuar paralelisht shërbimet në spitalet kryesore rajonale. Si rezultat i reformës në sektorin farmaceutik, parashikohet një ulje prej 25 përqind i çmimit mesatar për 10 barnat më të përdorura me recetë dhe për 10 barnat më të shtrenjta spitalore. Sipas BB, projekti do të mundësojë një rritje deri në 65 përqind të mbulimit nga sigurimet shëndetësore të të varfërve.
Ndërkaq rreth 700 punonjës të institucioneve të kujdesit shëndetësor, përfshirë këtu edhe Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) dhe spitalet rajonale do të përfitojnë nga trajnime dhe specializime.
l.m
Add new comment