Koalicioni me 42 parti, PS çon në KQZ bashkimin miks të forcave të majta, konservatore e liberale

Postuar në 22 Prill, 2015 02:13

Ka arritur në 42 numri i partive në koalicionin e maxhorancës, që kryesohet nga Partia Socialiste. Dje këtij koalicioni i është bashkuar Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës, i cili nuk gjeti gjuhë bashkëpunimi me Partinë Demokratike. “Panorama” shkruan se sot në orën 18:00 përfundon afati zyrtar i KQZ­së për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore. Koalicioni i maxhorancës mund të cilësohet si bashkimi më miks i bërë ndonjëherë, ku përfshihen parti komuniste, parti të qendrës së majtë, konservatore të djathta, liberale, por dhe parti që mbrojnë interesat e komuniteteve etnike dhe kulturore. Parti tradicionale të majta kanë mbetur jashtë këtij koalicioni. Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit do të garojë e vetme. Mësohet se Gjinushi do të mbështesë me siglën e tij disa kandidatë që do të dalin të pavarur, figura të njohura të Partisë Socialiste. Nëse do të dilnin të pavarur, atyre do t’u duhej të mblidhnin firmat e 1% të numrit të zgjedhësve. Kandidimi me siglën e PSD, e cila ka këshilltarë në bashkitë ku ata kandidojnë, i lejon kandidatët të hyjnë në garë pa pasur nevojë për firma të zgjedhësve. Po ashtu edhe PBDNJ e Vangjel Dules do të dalë më vete në këto zgjedhje. Përmes një deklarate të bërë dje, Dule shprehet se PBDNJ do të dalë më vete në zgjedhjet e 21 qershorit, ndërsa do të përcaktojë kandidatët e saj ditën e shtunë. Në këto zgjedhje, PS do të bashkëpunojë, përveç aleatëve që kishte në zgjedhjet e fundit parlamentare, edhe me Frymën e Re Demokratike të Bamir Topit, për të cilin Kryeministri Rama tha se nuk kërkon asnjë bashki, por dhe PDIU­në e Shpëtim Idrizit, e cila do të garojë në tri bashki, Konispol, Peqin dhe Rrogozhinë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.