Klajda Gjosha për “GSH”: Gatishmëria e Ramës për të vizituar Serbinë, dëshmi se Shqipëria sheh nga Evropa

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha mendon se ajo që ndodhi gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, por edhe deklaratat që pasuan nga pala serbe janë “një hap pas, që dëmton një punë zinxhir të bërë ndër vite me kontributin e të gjitha vendeve që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ministrja Gjosha shprehet se kjo ndeshje duhet të kishte përcjellë mesazhe më pozitive, mesazhe për të ardhmen evropiane për popujt që aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
E pyetur nëse duhet të shkojë kryeministri Edi Rama në Beograd, pas kësaj që ndodhi, ministrja Gjosha tha: “Mendoj se pikërisht për ne, afrimi i vërtetë me Evropën është prioritet kombëtar. Vizita e kryeministrit në Serbi do të ishte dëshmia më e qartë se Shqipëria i ka sytë nga e ardhmja, nga një Evropë e Bashkuar që funksionon mbi principet e paqes, larg dhunës”. Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka pasur edhe kontakte me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, pas kësaj ngjarjeje. E pyetur në lidhje me qëndrimin e tyre, ministrja Gjosha tha se kanë ndarë një qëndrim të përbashkët se “procesi i integrimit nuk mundet kurrë të ngatërrohet me një ndeshje futbolli, precipitimin e situatës në një stadium me tifozë, apo dhunën e ushtruar ndaj një ekipi futbolli”.
“Politikëbërësit e vendeve duhet të qëndrojnë mbi këto ngjarje dhe të palëkundur në shtyllat e procesit, të cilat janë kushte për secilin nga aspirantët në BE. Ballkani Perëndimor e ka të ardhmen në Evropë, por duhet që popujt tanë të dëshmojnë së pari kulturalisht se dinë t’u qasen parimeve mbi të cilat funksionon unioni”, deklaroi në këtë intervistë Klajda Gjosha.
Intervista e plotë: http://www.balkanweb.com/kryesore/1/rama-i-gatshem-te-vizitoje-serbine-gjosha-deshmi-se-shqiperia-sheh-nga-evropa-217455.html
n.k
Add new comment