Kissinger: “Rendi botëror është në krizë. Një rend i ri mes shteteve që afirmojnë dinjitetin e njeriut dhe pjesëmarrjen, janë shpresa dhe frymëzimi ynë”

Postuar në 30 Gusht, 2014 17:53

Henry Kissinger botonte dje një analizë në “Wall Street Journal”. Ajo nis me parashtrimin e dinamikave kryesore të tensionit të sotshëm në botë si Siria, Iraku, Libia, Afganistani dhe Rusia me Kinën. Për Kissinger këto janë zona ku Perëndimi po sheh përherë e më shumë të qartë se ai që është në të vërtetë në krizë, është rendi ndërkombëtar.  “Koncepti i rregullit mbi të cilën bazohet epoka moderne është në krizë.  Kërkesa për rend botëror, prej një kohe të gjatë, ka qenë përkufizuar pothuajse ekskluzivisht nga konceptet e shoqërive perëndimore...”, shkruan ai, duke iu referuar shembujve socialpolitikë të SHBA dhe të Europës, që mandej kërkuan të impononin modelimin global të marrëdhënieve ndërkombëtare. Për Kissinger kjo përpjekje ka ardhur në pikën e pjekjes. “Një shumicë shtetesh të pavaruara qeverisin pjesën më të madhe të territorit të botës. Përhapja e demokracisë dhe qeverisjes përfaqësuese është bërë një aspiratë e përbashkët, në mos një realitet universal” shkruan ish-këshilltari për Sigurinë i Presidentit të SHBA. Por ky rend i  promovuar nga Perëndimi është në një pikë kthese: Vetë natyra e shtetit, si njësi bazike e rendit ndërkombëtar ka pësuar presione të shumta. Kështu pretendimi i Europës për legjitimitet, i pashoqëruar nga koncepti i strategjisë, vështirë se mund të mbajë në këmbë rendin. Për më tepër që ky kontrastohet nga realitetet aziatike, ku legjitimiteti qëndron shumë më poshtë nevojës për balancim. Së dyti është kontradikta mes prirjeve ekonomike dhe kufizimeve politike që kjo has: “Rendi ndërkombëtar ballafaqohet me një paradoks: progresi i tij varet nga suksesi i globalizimit, por procesi prodhon reaksione politike që shpesh kundërshtojnë aspiratat e tij”, shkruan ai. Një arsye e tretë e krizës është edhe mungesa e një mekanizmi efektiv konsultimi dhe bashkëpunimi mes fuqive të mëdha. Ajo që parashikohet sipas tij, nuk është lufta mes shteteve, ndonëse mbetet një opsion në disa zona, por evolucioni drejt zonave të influencës që “do të identifikohen me struktura dhe forma qeverisjeje të vetat”. Ky polarizim është shumë më implikues për nga energjitë dhe më dobësues sesa vetë beteja mes shteteve, vijon Kissinger. Mbetet pra një rrugë për të siguruar që rendi i ri të mos ndryshojë paradigmat themelore të sigurisë dhe të filozofisë nga e cila ato marrin jetë: “Një rend botëror mes shtetesh që afirmojnë dinjitetin individual, pjesëmarrjen në qeverisje dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në përputhje me rregullat e mësipërme, mund të jetë shpresa jonë dhe duhet të jetë frymëzimi ynë. Por ecja drejt këtij rendi do të kërkojë që të mbështetet përmes disa fazave të ndërmjetme”, shkruan ndër të tjera Kissinger.

http://online.wsj.com/articles/henry-kissinger-on-the-assembly-of-a-new-...

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.