Kievi zyrtar kërkon ndihmë nga NATO. Kërcënimi rus rikthehet si temë në Perëndim. Diskutohet deri në çështjen e pavarësisë së Skocisë

Postuar në 27 Gusht, 2014 16:43

Kriza në Ukrainë vijon të mbajë të angazhuara energjitë kryesore të Perëndimit në raport me Rusinë dhe me Lindjen europiane. Kështu sot raportohet se janë parë edhe tanke të hyra nga Rusia në lindje të vendit. Kjo konfirmon deri diku parashikimin e drejtuesve kryesorë të NATO-s, se 20 mijë trupat e përqendruara në kufirin ruso-ukrainas, bashkë me arsenalin ushtarak përkatës, janë një masë që shërben për të mbajtur të tensionuar rajonet ku veprojnë separatistët dhe në rastin më të keq edhe për të ndërhyrë direkt. Ndërkohë loja e vetme që po luan ekipi drejtues në Kiev është implikimi sa më i madh i mundshëm i NATO-s në konflikt. “Në mungesë të shenjave të progresit pas një takimi ballë për ballë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukraians Petro Poroshenko dje në mbrëmje, Kievi pret tashmë një ndihmë nga NATO-ja”, deklaroi sot kryeministri ukrainas, Arseni Jaceniuk. Aleanca nga ana e vet po vihet në lëvizje, ndonëse lëvizje më shumë demonstruese. Dhe kjo mund të kuptohet te paralajmërimi për zhvillimin e një stërvitjeje në Balltik. Vendet e Balltikut konsiderohen nga NATO, si vija e kuqe për Rusinë, pasi prekja e tyre dikton hyrjen në fuqi të Artikullit 5, që është përdorimi i forcave të armatosura. Është gjithesesi kurioz fakti se përballja kryesore po orientohet në qendër të Europës dhe po lë jashtë fokusit, Europën Juglindore, në kuptimin që tensioni dhe shqetësimi më shumë po perceptohet në vendet e Europës Qendrore. Kështu po sot shefi i Shtabit të Ushtrisë çeke, General Petr Pavel ka folur për gazetën "Hospodařské noviny", ku ka deklaruar se përshkallëzimi i krizës në Ukrainë, do të çonte në manovrat më të mëdha ushtarake të ushtrisë çeke që nga 11 shtatori. Çekia nuk ka kufi me Ukrainën, por ajo ka një minoritet ukrainasish me më shumë se 100 mijë njerëz(http://www.expats.cz/prague/article/community/the-ukrainian-community-in-the-czech-republic/) dhe për Pavel, kjo e bën të mundur rritjen e tensioneve. Sipas tij, NATO, nuk ka ndërmend të ndërhyjë me trupa në Ukrainë, por minimumi që mund të bëjë është të forcojë kufijtë e vet. Nga ana tjetër, në rast përshkallëzimi, ekziston edhe frika tjetër, ajo e fluksit të refugjatëve (http://praguepost.com/the-big-story/38639-czech-army-to-react-if-russia-invades-ukraine). Për Rusinë, sipas asaj që po del në sipërfaqe, dhuna dhe përdorimi i separatistëve në rajonet që janë më në lindje të zonës së aneksuar të Krimesë, përbën një instrument politik dhe diplomatik. Kjo pasi me gjasë qëllimi kryesor i Kremlinit është ripërkufizimi shtetëror i Ukrainës, duke kaluar në profilin e federatës. “Ne nuk jemi të interesuar që qeveria të shkërmoqet. Çfarë po ndodh tani në Ukrainë,  siç edhe e dëshmon Kryqi i Kuq, është një konflikt i armatosur, i brendshëm, që na detyron ne të qasemi me prerogativat e ligjit ndërkombëtar: një armëpushim dhe fillimi i negociatave”, deklaroi sot ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Negociatat do të thonë pranim në parim i lëshimevet ndaj tjetrit, pra ndaj separatistëve, që do të maksimalizonin kështu atë që po përpiqen të menaxhojnë në terren(http://en.ria.ru/politics/20140827/192398699/Russia-Not-Inte...).  Në këtë kuadër zhvillimesh është jo pa rëndësi simbolike që para dy ditësh, ishte sekretari I Përgjithshëm I NATOs-s, Rasmussen që përmes një deklarate të posaçme, shprehu qëndrimin kundër të Aleancës, ndaj zgjedhjeve të mbajtuar në Abkhazi, duke konfirmuar njohjen e integritetit territorial të Gjerogjisë, një tjetër vend problematik ky në kufijtë jugorë të Rusisë(http://www.nato.int/cps/en/natolive/news_112091.htm).

Në fund do nënvizuar edhe një lloj mbivlerësimi që po vihet re ndaj atij që quhet kërcënimi rus. Kjo arrin deri aty sa të përdoret si kartë edhe në çështjen e kërkesës për pavarësi të Skocisë. Nuk mungojnë me këtë rast spekullimet se shkëputja e mundshme e Skocisë nga Britania, mund të ekspozojë të parën ndaj kërcënimit ushtarak rus, pasi është i njohur fakti se nëndetëset ruse e vizitojnë shpesh bregun skocez. Shkëputja do të detyrojë flotën angleze të lëvizë drejt jugut, me shpenzime shtesë dislokimi që mendohen të arrijnë në 3.5 miliardë stërlina, duke shtruar mandej çështjen e krijimit të flotës ushtarake detare skoceze(http://www.businessinsider.com/scottish-independence-and-rus...). Në çdo rast është e vështirë të imagjinohet aventura ruse në Skoci, qoftë edhe përmes vizitave të shtuara të nëndetëseve, mirëpo duket se ngritja e të gjithë kësaj klime pasigurie me idenë e një Rusie kërcënuese, me siguri do të çojnë minimalisht në rishikimin e buxheteve dhe politikave të mbrojtjes nga vendet e NATO-s. Gjithnjë me koston politike që në këtë rast duket se do ta paguajë një fuqi e dorës së tretë, si Ukraina. Dhe së funmdi një sinjal për këtë po jepet. Konkretisht, një grup ekseprtësh rusë dhe amerikanë janë takuar në Finlandë për të përpunuar një plan paqeje dhe kanë publikuar me këtë rast një të tillë, të përbërë prej 24 pikash, mes të cilave dërgimi i një misioni të OKB-së në Lindje, amnisti për ata që luftojnë dhe përcaktimi me ligj i Ukrainës si shtet i paangazhuar(http://www.theatlantic.com/international/archive/2014/08/a-2...). 

s.z

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.