Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Arben Tafaj: Garat e forta janë për burra të fortë. Tiranës i pikon çatia, do jem usta i mirë

Arben Tafaj, kryetar i njësisë bashkiake numër 8 për 12 vite, do të jetë një tjetër kandidat i pavarur për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit. Në rubrikën “Opinion” në News24, Tafaj tha se do të bëjë fushatë shtëpi më shtëpi dhe do mbledhë firmat deri në fund të afatit. Ai u shpreh se ambicia e tij për të garuar për Tiranën nuk është e ekzagjeruar, ndërsa thotë se kandidimi vjen në kohën e duhur. “Kandidimi për Tiranën nuk është ambicie e ekzagjeruar. S’kam pasur probleme me regjistrimin në KQZ. Do mbledh firmat deri në fund të afatit, politikës i mungon një kandidaturë si e imja”, tha Tafaj. Ai theksoi se, “garat e forta janë për burra të fortë. Gara nuk duhet të jetë një ring ku të baltosim njëri-tjetrin”. Si njohës i mirë i çështjeve vendore në krye të njësisë bashkiake 8, Tafaj tha se, “Tiranës nuk i pikon çatia në një vend. Jam shpresë plotë që me eksperiencën time, kam bagazhin e duhur që ky qytet të ketë një usta të mirë për çatinë ku i pikon”. Gjatë bisedës televizive në News24, kandidati i pavarur për Bashkinë e kryeqytetit, shprehu këtë vlerësim për rivalët e tij në këtë garë: “Janë njerëz për t’u vlerësuar, qytetarë të mirë të këtij qyteti. Ajo që duhet të ballafaqoja, duhet të ishin programet. Gara do ta tregojë. Aty fillon sfida dhe aty s’ka më a është burrë i mirë Arben Tafaj, Sazan Guri apo Halim Kosova. Ne jemi si ai babagjyshi i Vitit të Ri, që sjell diçka me vete, nëse sjell kinder, fëmijët nuk kënaqen, në qoftë se e ka thesin plot, ai do të vlerësohet”, përfundoi ai. Arben Tafaj është në garë për Bashkinë e Tiranës përballë kandidatëve të tjerë: Gjergj Bojaxhi, Sazan Guri, Halim Kosova dhe Erion Veliaj.
Add new comment