Kanë mbërritur në Tiranë vëzhguesit e parë të 23 Qershorit

Përfaqësues të misionit ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve mbërritën sot në Tiranë për të parë nga afër përgatitjen e procesit zgjedhor të 23 qershorit. Komunikimi i tyre i parë me shtypin pritet të jetë të mërkurën - raporton Zëri i Amerikës. Sipas tij, burime të besueshme bënë të ditur se ky delegacion i parë i ODIHR-it do të verifikojë së pari saktësinë e listave të votuesve për të cilat ka shumë ankesa për dublime. Në qendër të vëmendjes mbetet edhe mënyra si po funksionon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Misioni i vëzhguesve, që drejtohet nga amerikania Conny B. McCormack (në foto), përbëhet nga 15 ekspertë të 14 shteteve anëtare të OSBE-së. Ditën e zgjedhjeve ODIHR do të jetë në terren me mbi 430 vëzhgues. Ndërkaq zëvendës-ministri i brendshëm, Ferdinand Poni, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për manipulime deklaroi sot se listat e votuesve janë të sakta, në përputhje me ligjin dhe se askush nuk mund të votojë dy herë. a.n.
Add new comment