Itali, shkatërrohet banda e trafikimit të kokainës, arrestohen 5 shqiptarë, me 10 milion euro të ardhura

Karabinieria e Udines ka arrestuar sot 5 shqiptarë. Të arrestuarit kishin ngritur një organizatë për shpërndarjen e kokainës dhe marijuanës nga Udine e Breshia në veri të Italisë deri në Kozenca në jug. Mediat italiane shkruajnë se ky grupim kriminal ishte goditur disa herë duke i kapur korrierë të ndryshëm me kokainë, por këtë të shtunë mori goditjen përfundimtare. Bashkë me 5 arrestimet e fundit numri total i të arrestuarve është 26 persona, që të gjithë shqiptarë. Gjatë operacionit u kapën 11 kg kokainë dhe 46 500 euro kesh. Operacioni i njësisë hetimore është koordinuar nga Drejtoria Rajonale e Antimafias. Janë kryer 17 kontrolle banesash dhe 5 arrestime në bazë të urdhërarresteve të lëshuara nga Prokuroria e Venecias. Sipas hetuesve, droga impotohej nga Holanda, kalohej me tren nga Franca në Itali dhe më pas shpërndahej në territorin e vendit fqinj, si dhe në Shqipëri e Maqedoni. Autoritetet kanë vlerësuar se aktiviteti ndër vite i kishte siguruar grupit kriminal rreth 10 milionë euro të ardhura.
Add new comment