Isuf Kalo shkruan për Agron Çobanin dhe ngre një pyetje për miqësinë: Ka një enigmë që na shkakton kimizmin shpirtëror?

Postuar në 02 Tetor, 2012 03:52

Isuf Kalo në një artikull në numrin e sotëm të së përditshmes “Panorama” flet për ndarjen nga jeta, disa ditë më parë, të gazetarit Agron Çobani. Duket që Kalo e ka patur mik Çobanin dhe në artikullin me titull “Gazetari dhe Mjeku” ngre fillimisht pyetjen: Çfarë mund t’i bëjë të miqësohen një mjek me një gazetar? Vetë Kalo jep një përgjigje që të bën të reflektosh edhe pak më gjerë se kaq: çfarë na miqëson përgjithësisht me njëri-tjetrin.

Shkruan Kalo: “Çfarë na miqësoi vallë? Tani që ai nuk është më unë reflektoj për këtë dhe nuk e gjej dot. Them se ndoshta ekziston një enzimë enigmatike që katalizon sinergjinë e pashpjegueshme të kimizmit shpirtëror mes personave me mision, profesion dhe veprimtari të ndryshme...”

Mjeku i njohur tregon më pas vizitën e fundit që i ka bërë Çobanit kur ky i tronditur nga shqetësimet shëndetësore i është drejtuar për ndihmë:
“...Herën e fundit që u takuam... ai ishte më i zbehtë, më i dobësuar se zakonisht dhe humori që i buronte natyrshëm nga çdo pore e lëkurës sikur ish mbuluar atë ditë nga një tis i lehtë trishtimi. Pasi mbarova ekzaminimin diçka e shfaqur si “dhimbje e murme” në bark, diçka pa ngjyrë të qartë diagnostike lindte dyshime të frikshme se një diagnozë tejet e rrezikshme ogurzezë shfaqej në brendësi të barkut të tij. Të tjerat më pas janë prozë e dhimbshme mjekësore. Janë dhimbjet njerëzore dhe recepsionet e pafuqishmërisë profesionale që mjekët fatalisht i mbartin me veten gjatë gjithë jetës. Misioni i mjekut në fund të fundit është i dështuar – pati shkruar Kamyja – përderisa vdekja me të cilën ai lufton është e pashmangshme...” – A.N.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.