INTERVISTA/ Bujar Kore, operatori i mirënjohur i TVSH rrëfen 20 shkurtin 1991. Drejtoria na urdhëroi: “Shkoni të xhironi rrëzimin e Enver Hoxhës”

Postuar në 19 Shkurt, 2015 15:08

Leonard Veizi

Ka qenë i kudondodhur, në një udhëtim komod me avion për në Romë, Berlin, Paris apo Londër, dhe me makinat “furoristrada” të Televizionit që ecnin kudo, me rrugë të shtruara me asfalt, por dhe ato të fshatrave me gurë e baltë. Dikur mbante mbi supe një “Ariflex” me film 16 milimetra, më pas një kamera të sistemit “Beta” dhe së fundi një “Soni DV Cam” superelektronike. Në karrierën e tij 25- vjeçare si operator lajmesh numërohen më shumë se 10 mijë kronika, dhe po shumë numërohen emisionet e reportazhet. Është Bujar Kore, operatori i vjetër i Televizionit Shqiptar, tanimë në pension, ai që ka xhiruar dokumentarë pa fund, por dhe portretet e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore. Disa qindra metra film të regjistruar nën syrin e tij të vëmendshëm, i takojnë vetëm figurave kryesore të politikës shqiptare. Gjithçka është e arkivuar me kujdes në shiritat që paketohen me kujdes në arkivën e TVSH-së. Ndërsa përdorimi i një pjese prej tyre ose vazhdon të mbetet “top secret” ose  ka dalë krejtësisht nga qarkullimi, për të vetmen arsye se atje ndodhej e regjistruar një fragment që në fakt nuk duhej...

...Ai e shikon gjithçka nga ana profesionale. Për të një ngjarje është e tillë dhe një lajm po ashtu. Të vetmes gjë që ai i përkushtohej ishte kapja e çastit dhe hedhja sa më e kujdesshme në celulozë apo shiritin manjetik. Ndjenjat personale nuk kishin vend në një punë të tillë. Kështu ka ndodhur edhe në ditët e vështira të vitit 1991. Në mesin e shkurtit të këtij viti emri i ish- udhëheqësit komunist nuk përbënte më “kult” dhe monumenti i tij në qendër të kryeqytetit ishte në prag të rrëzimit. Gjatë intervistës operatori i mirënjohur i Televizionit Shqiptar, Bujar Kore, tregon se çfarë ndodhi me rrëzimin e monumentit të Hoxhës, grevën e studentëve dhe atë të Valiasit si dhe disa detaje të tjera të jetës publike të atyre viteve:

Çfarë mbani mend nga regjistrimet për Enver Hoxhën?

Në fakt unë si operator nuk e mbuloja Komitetin Qendror. Gjithashtu mbuloja Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe më pas Presidencën. Megjithatë më kujtohet ceremonia e varrimit të Enver Hoxhës në prill 1985 dhe hedhja e monumentit të tij në shkurt 1991.

Cila ishte e veçanta në këtë ceremoni varrimi?

Mund të them se për herë të parë TVSH bëri një transmetim perfekt të ceremonisë, nga ana profesionale, pasi atje ishte angazhuar i gjithë stafi me të gjitha mjetet e mundshme, nën drejtimin e regjisorit Albert Minga.

Po kur u rrëzua monumenti...?

Që mëngjesin e asaj dite na thirrën në drejtori dha na thanë se ne, katër operatorë, Engjëll Strazimiri, Besnik Shima Gaspër Shllaku dhe unë, të vendoseshim në katër pika të ndryshme të sheshit, të cilat ishin të përcaktuara, dhe të regjistronin atë që do të ndodhte, sepse po atë ditë mendohej se do të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës.

Këtë ua thanë në mbledhjen e mëngjesit...?

Natyrisht. Me sa duket një gjë e tillë ishte e parapërgatitur. Shefat tanë mund të dinin më shumë, por ne na u tha kaq. Dhe ne zumë pikat tona. Vendi im ishte poshtë monumentit të Skënderbeut. Po në të njëjtën kohë grupit tonë iu shtua dhe një tjetër operator Fatmir Çepani, i cili në katin e tretë të Pallatit të Kulturës kishte shkuar së bashku me gazetaren Amalia Dhamo për të regjistruar një intervistë. Duke qenë se ai ndodhej dhe pikën më dominuese nga ne të gjithë, ku kamera merrte të gjithë sheshin, regjistroi dhe pamjet, të vetmet që kanë mbetur në arkiv, pasi të katër ne që ishim caktuar në atë detyrë nuk arritëm ta merrnim pastër rrëzimin e monumentit. Unë regjistrova lëkundjet e monumentit, por në vendin ku isha më fluturonin gurë nga të gjitha anë, plus dhe të shtënat me armë nga ana e policisë dhe nuk arrija ta stabilizoja dot kamerën. Përveç këtyre edhe presioni i njerëzve që më shtynin ngado nuk më lejonin të kryeja detyrën.

Çfarë ndodhi pas rrëzimit të monumentit?

U ktheva më shpejtësi në TVSH. Në korridor u mblodhën 7-8 veta, Virgjil Kule që ishte dhe drejtori i televizionit, Alfons Gurashi, Amlia Dhamo, Timo Luto, Fiqëri Sejdia dhe po diskutonim nëse duheshin transmetuar pamjet, apo s’duhej bërë një gjë e tillë. Atëhere Virgjil Kule na tha: “Po shkoj të bisedoi me Ramiz Alinë”. Pasi nuk u lidh dot me telefon me Ramizin, ai erdhi të merrte edhe një herë mendimin tonë në duhej transmetuar pamjet në ato kushte. Ne të gjithë ishim dakord që pamje të bëheshin të njohura për popullit. Atëherë ai vendosi për transmetimin e pamjeve ku shihej monumenti i Enver Hoxhës që rrëzohej dhe urdhëroi Alfons Gurashin që të përgatiste kronikën. Kjo kronikë pati shumë jehonë, sepse për herë të parë edhe TVSH transmetonte një kronikë që cilësohej kundër regjimit, ku binte kulti i drejtuesit komunist.

Ndërkohë zhvillohej dhe greva e studentëve. Cila ishte situata atje?

Kam regjistruar grevën e studentëve dhe shumë intervista që gazetari Fiqiri Sejdia u mori studentëve të ngujuar. Por jo të gjitha u dhanë, sepse censura bënte të vetën dhe studentët u zemëruan me ne. Për më tepër që ato ditë kryeministri Adil Çarçani kishte deklaruar se greva ishte e paligjshme. Por ne si ekip sërish u futëm, sepse dhe unë kisha disa miq brenda në greve, me të cilën e gjeta shpejt gjuhën e përbashkët dhe sërish arritëm të merrnin intervista të reja, pasi dhe situata ndryshonte me orë.

Çfarë vështirësish të tjera mund të haste një grup xhirimi i Televizionit Shqiptar në vitet e ndërrimit të sistemeve?

Shumë njerëz ende s’kishin besim që atë që thoshin do t’u transmetohej. Kështu na ndodhi dhe me grevistët e minierës së Valiasit. Kur ne u futëm në galeri, nëntokë, për të regjistruar grevën e tyre. ata na mbajtën peng, sepse nuk kishin besim qe ne do t’i transmetonim intervistat e tyre. Një grupi xhirimi që kish qenë para nesh u ishin censuruar shumë materiale. Përpara nesh atje kishte shkuar dhe Besnik Bekteshi, por që s’kishte arritur asnjë marrëveshje, dhe ata ishin shumë të acaruar. Atëherë i thashë Gëzim Kalasë që ishte organizatori i grevës: “TVSH vërtet mund të transmetojë pak nga greva, por në fund të fundit do ta japi atë, ndërsa po na mbajtët peng, nuk do ta keni as këtë mundësi”. Atëherë minatorët na lanë të lirë të ktheheshim në Tiranë.

Çfarë tjetër mbani mend nga kjo situatë?

Më kujtohet takimi i Ramiz Alisë me përfaqësuesit e studentëve. Ne shkuam dy grupe xhirimi gazetarët Engjëll Ndocaj dhe Gëzim Gjyrezi si dhe Gaspër Shllaku dhe unë si operatorë. Gaspëri ishte fokusuar tek Ramiz Alia ndërsa unë merrja përfaqësinë e studentëve. Meqenëse gazetarët tanë mbetën në fund dhe e kishin vështirë të lëviznin, unë  dhashë mikrofonin tonë Azem Hajdarit, i cili filloi të bënte rolin e gazetarit e të lëvizte mikrofonin atje u e kërkonin studentët. Përveç Azem Hajdarit aty ishin dhe Arben Imami, Arben Demeti, Blendi Gonxhe, Pandeli Majko, Ilir Meta etj.

Pamjet që janë transmetuar dhe kohët e fundit nga disa TV private, janë tuajat?

E vërtetë është. Unë jam i gëzuar që këto pamje shërbejnë për diçka, por njëkohësisht jam i trishtuar sepse asnjëherë nuk përmendet se cilët janë realizuesit e tyre. Kjo ka të bëjë me të drejtën e autorit, që për të thënë të vërtetën nuk respektohet në Shqipëri.

Po nga krijimi i partisë së parë opozitare në vend, keni ndonjë kujtim që kam mbetur tashmë si pamje?

Natyrisht. Unë isha operatori i parë që së bashku me gazetarin Engjëll Ndocaj kemi marrë një intervistë me Sali Berishën, ku ai foli hapur kundër regjimit dhe foli gjithashtu për lejimin e pluralizmit në vend. Më pas me gazetaren Amalia Dhamo shkuam në shtëpinë e Gramoz Pashkos ku mblidheshin ata që themeluan PD-në. Mbaj mend që Gramozi na priti ashpër duke na cilësuar si vegla të regjimit. Por më pas u morëm vesh dhe ai na lejoi të hynim në shtëpi, ku ishin dhe Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Eduard Selami. Në atë kohë ata po punonin për krijimin e statusit të partisë.

Leonard Veizi

Comments

Submitted by Monument eshte ... (not verified) on

Si duket...

vetem Sali Berisha dhe Blendi Fevziu nuk e paskan ditur se shoku Enver do xerrohej ate dite!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.