Indianët po spiunojnë gjithnjë e më shumë bashkëshortët e ardhshëm.

Postuar në 03 Tetor, 2014 03:57

Fenomen & Risi – Meqenëse dasmat në Indi janë ngjarje të mëdha për të cilat familjet kursejnë gjithë jetën, indianët po sigurohen mirë përpara se të bëjnë hapin e madh. Detektivët hetojnë për të kaluarën e çiftit dhe për gjendjen e tyre financiare

Detektivët privatë

Dasmat në Indi janë ngjarje të mëdha, më shumë se në kulturat e tjera. Familjet kursejnë të gjithë jetën që të paguajnë për këtë ngjarje të veçantë, që shpesh zgjat për ditë të tëra festimesh me mijëra të ftuar.

Taralika Lahiri ka punuar si detektive private për më shumë se 25 vite. Me kaq shumë shpenzime dhe ekstravagancë, është normale për familjen që të pajtojë një detektiv privat për të hetuar mbi nusen e ardhshme apo edhe dhëndrin, përpara se të mbahet ceremonia.

Dhe në Indi nuk është aspak e vështirë të gjesh agjenci të detektivëve paramartesorë, pasi ka me shumicë. Ata punësohen për të kontrolluar mbi marrëdhëniet e shkuara të dikujt, fitimet dhe historinë familjare.

Taralika Lahiri, 53 vjeç, iu bashkua profesionit në vitin 1987. Pa asnjë trajnim të mëparshëm, ajo e mësoi shumicën e trukeve të profesionit gjatë punës.

Më pas ajo hapi agjencinë e saj, “Detektivë Kombëtarë & Këshilltarë Korporatash” (NDCC) në vitin 1994, me një investim prej 5000 dollarësh nga familja e saj.

Në vitin 1987, ajo ishte një nga të paktat gra në këtë biznes. Tani, ajo thotë, se është më e njohura nga të gjitha femrat që ka për kolege.

Kërkesa për detektive femra, është në rritje kryesisht sepse femrat janë klientet kryesore për hetime martesore, dhe ato ndihen më rehat kur punësojnë një femër tjetër për të bërë ‘gërmimin në të shkuarën’.

Mashtruesit online

Taralika e filloi punën e vetme, por tani ajo ka 15 të punësuar dhe thotë se biznesi po i ecën mbarë. “Një arsye përse janë rritur hetimet paramartesore në Indi, është sepse martesat po ndodhin edhe nga njohjet në internet”.

“Më parë, funksiononte sipas mënyrës së vjetër: disa teze ose halla që njihnin vajza dhe djem të mirë, që vendosnin të hynin shkesë. Tani, mund të përballesh me këdo që ka një profil fals në internet, pavarësisht nëse është brenda apo jashtë Indisë”.

Familjet duan të jenë të sigurta se burrat ose gratë e zgjedhura për vajzat apo djemtë e tyre janë të ndershme dhe jo një mashtrim. Ajo kujton rastin e një industrialisti të pasur me bazë në Delhi, që e punësoi për të mësuar më shumë rreth të dashurit të vajzës së tij.

Dhëndri i ardhshëm vishte rroba firme, ngiste makina luksoze dhe takohej me të në kafene të shtrenjta. Familjes i lindën dyshime për të shkuarën e tij financiare dhe kërkuan për një hetim.

Disa javë pasi e ndoqi këmba-këmbës, skuadra e Taralikës zbuloi se ai ishte një mashtrues që kishte adresë të rreme dhe që merrte me qira makina të shtrenjta për të mashtruar vajzën.

Provat janë të nevojshme

Taralika thotë se mund të jetë e rëndë t’i thuash dikujt se dhëndri, apo nusja e ardhshme nuk është ai apo ajo që duket. Është e rëndësishme të mblidhen prova të forta si fotografi apo regjistrime telefonike, për t’i bindur klientët, thotë ajo.

Teksa hetimet paramartesore janë ato që i sjellin më shumë përfitim, edhe mosmarrëveshjet gjatë martesës përfundojnë shpesh nën hetimin e detektivëve dhe po e fuqizojnë biznesin.

Numri i divorceve në Indi është në rritje. Kur martesa bëhet e padurueshme dhe i drejtohet gjykatës, të dyja palët kërkojnë prova për të mbështetur pretendimet e tyre, që shpesh vijnë edhe prej lidhjeve jashtëmartesore.

Edhe avokatët punësojnë shpesh hetues si Taralika për të marrë prova që të mbështesin çështjet e tyre. “Bëhet kryesisht për të ulur mbështetjen financiare, ose për të marrë kujdestarinë e fëmijës, por gjykata do prova të forta për çdo çështje”, thotë Taralika.

Filmimet e fshehta

Ajo përmend një çështje kur një indian që banonte në SHBA e punësoi për të spiunuar gruan e tij. Ajo kishte kërkuar një mbështetje financiare të madhe, duke pretenduar se e kishte të pamundur të punonte, pasi ishte e paralizuar nga mesi e poshtë dhe i duheshin paratë për t’u kujdesur për fëmijët.

Bashkëshorti e dinte se ajo do të udhëtonte në një dasmë në Delhi dhe i dha Taralikës detajet e nevojshme. Punonjësit e skuadrës së detektives shkuan në dasmë të maskuar si fotografë dhe shërbyes. Kur arriti gruaja, e veshur siç e donte tradita, ajo kërceu në festimet e dhëndrit. Skuadra e Taralikës e filmoi të gjithën dhe e dërgoi për provë në gjykatën amerikane që merrej me divorcin. Kjo e ndihmoi bashkëshortin të fitonte.

Kostoja për shërbimin e agjencisë varion nga rasti në rast, por Taralika thotë se hetimi paramartesor shkon te 500 dollarët. Ndërsa hetimi për martesat e lidhura tashmë, kushton më tepër ngaqë puna me provat është më e vështirë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.