Hekurudha që lidh Kosovën, Serbinë e Maqedoninë merr dritë jeshile, gati dhe projektet e tjera të mëdha

Linja hekurudhore Leshak-Hani i Elezit që lidh tri vendet, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni, ka marrë dritën e gjelbër për t’u ndihmuar me fonde të premtuara nga Konferenca e Berlinit. Për të marrë mbështetjen janë pajtuar paraprakisht të tri shtetet. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se ende nuk dihet shuma që do të mund të japë BE-ja për këtë projekt. Pjesë të paketës me projekte që po konkurron Kosova janë edhe dy autostradat, aeroporti dhe lidhjet energjetike me Shqipërinë dhe Maqedoninë, raporton “KTV”. Shumica e këtyre projekteve pritet të përfundojnë brenda disa vjetëve, andaj Stavileci ka thënë se po pret që BE-ja të lejojë futjen e projekteve të reja, nga të cila Kosova mund të përfitojë fonde. Ai ka bërë të ditur se Qeveria është në pritje të një vendimi të udhëheqësve të projektit të tubacionit trans Adriatik të gazit që të përfshijnë edhe Kosovën në këtë projekt.
Add new comment