Guvernatori i BSH Sejko garanton FMN dhe BB: Ekonomia shqiptare në një trajektore pozitive zhvillimi. Sistemi bankar shqiptar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar

Postuar në 24 Prill, 2015 12:45

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), mbajtur në Uashington D.C., SHBA. Sipas ATSH, Guvernatori zhvilloi takime të rëndësishme me personalitetet më të njohura të fushës financiare ndërkombëtare si dhe me homologë nga vende të ndryshme. Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se “ekonomia shqiptare është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme”. Po sipas ATSH, ai vlerësoi se “politikat makroekonomike ruajnë një balancë të drejtë midis stimulit afatshkurtër e afatmesëm të aktivitetit ekonomik dhe stabilitetit afatgjatë të vendit”. Ndër to ai veçoi si prioritare sfidën e rigjallërimit të kreditimit në vend dhe nevojën e uljes së kredive me probleme, nëpërmjet masave të koordinuara të Bankës së Shqipërisë dhe autoriteteve të tjera publike. Gjithashtu, Guvernatori Sejko diskutoi rreth situatës financiare të Greqisë dhe ndikimeve të mundshme në ekonominë shqiptare. Ai theksoi se “sistemi bankar shqiptar mbetet likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë të përballojë edhe goditje të tjera negative nga vendi fqinj, duke garantuar se Banka e Shqipërisë ka marrë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit”.

 

http://www.ata.gov.al/guvernatori-sejko-ekonomia-shqiptare-ne-nje-trajektore-pozitive-zhvillimi-255116.html

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.