Fushata vazhdon, por sot ka një parantezë sportive. Të gjithë e kanë mendjen tek ndeshja kundër Norvegjisë

Fushata elektorale imponon ritmin e jetës në Tiranë, por sot kanë dominuar flamujt kuq e zi të tifozëve të kombëtares, e cila pas tri orësh do të luajë kundër Norvegjisë. Është një ndeshje që, nëse fitohet, mban të gjalla shpresat për pjesëmarrje të Shqipërisë në kupën e botës që do të luhet në Brazil. Duket e pabesueshme? Hë për hë, po.
Në të gjithë Tiranën bien në sy makinat e shumta, nga dritaret e të cilave fanepsen flamujt kuqezi, por dhe këmbësorët e shumtë që mbajnë në duar simbole kombëatre. Janë duke pritur orarin e ndeshjes. Deri atëherë, Tirana do të mbetet nën presionin e kaosit. Në bulevard policët e trafikut duken të dorëzuar dhe të lëshuar në momente empathie me ata që s’pyesin për semaforë e që u bien pa pushim borive të makinave.
Ndërkohë, Berisha e ka hapur thesin e parave të shtetit. 200 mijë euro u ka premtuar lojtarëve. Atij nuk i kushton gjë ky premtim, ashtu si tifozëve nuk u kushton gjë të shpresonë e të ëndërrojnë, se Shqipëria mund të shkojë në Brazil në vitin 2014. Pas ndeshjes, sidoqoftë, gjërat do të jenë më të qarta.
Re.Pu.
Add new comment