Fund i shpejtë për Kostandin Xhuvanin. Gjykimi i shkurtuar e shpëton nga burgimi i përjetshëm, dënohet vetëm me 35 vjet burg

Gjykata e Krimeve të Rënda dha sot vendimin për Konstandin Xhuvanin, i akuzuar për vrasjen e katërfishtë në lokalin Antegrand në rrugën e Elbasanit nëntorin e vitit të kaluar.
Djali i ish-deputetes, Luiza Xhuvani është dënuar me 35 vite burg për vrasjen e Enea Xhait, Edison Jahos, Arbër Demirajt dhe Paolo Azolës. Në bazë të provave të administruara dhe dëshmive nga roja i sigurisë Anton Binaku dhe personave të tjerë Gjykata ka vlerësuar se Konstandin Xhuvani është personi që ka qëlluar mbi Enea Xhain dhe Edison Jahon, ndërsa plumbat e dalë nga arma e tij kanë vrarë edhe shokun e tij Arbër Demiraj dhe shtetasin italian Paolo Azola. Gjithçka ka ndodhur pas një grindje të çastit, ku pas debatit me Enea Xhain dhe Edison Jahon, Konstandin Xhuvani dhe Arbër Demiraj kanë dalë nga lokali Antegrand në orët e para të mëngjesit të datës 4 nëtor 2014 dhe janë kthyer sërish për t’u ballafaquar me dy të sipërpërmendurit. Në këtë moment ka qenë Xhuvani që ka hapur zjarr duke shkaktuar edhe dy viktima të tjera përveç Xhait dhe Jahos.
I pandehuri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, çka u pranua nga Gjykata, duke shpëtuar të akuzuarin nga burgimi i përjetshëm. Gjykata e dënoi Xhuvanin edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
l.m
Add new comment