FMN u kërkon tatimorëve të Shqipërisë të "jenë miqësorë" me bizneset. Duket mision i pamundur

Punonjësit e tatimeve janë “tmerri” i sipërmarrësve. Një marrëdhënie e vështirë që është kthyer në një gjobëvënie për biznesin, sa herë që plani i të ardhurave nuk realizohet nga dega e tatimeve dhe sa herë që jemi në prag fushatash zgjedhore. Megjithë hapat e bërë në një periudhë relativisht të gjatë kohore për dixhitalizimin, deklarim online të dhënash, derdhje të detyrimeve tatimore online etj. marrëdhënia fisk-biznes ka qenë gjithmonë problematike. Institucionet e biznesit e kanë ngritur sa herë zërin për këtë cështje, duke kërkuar nga drejtuesit e tatimeve të jenë më të përgjegjshëm në raport me sipërmarrjen. E gjithë kjo klimë “ngërci” nuk ka kaluar pa rënë në sy të institucioneve të huaja ndërkombëtare të cilët kohë pas kohe kanë dërguar përfaqësuesit e tyre pranë tatimeve për të injektuar një frymë të re në mënyrën se si punohet. Burime pranë drejtorisë së tatimeve bëjnë të ditur për ResPublica se këto ditë ka qenë një përfaqësi e Fondit Monetar Ndërkombëtar në këto ambjente për të kërkuar nga drejtuesit tatimor të jenë më paqësor me biznesin. Madje këto burime citojnë se ekspertët e FMN kanë qenë mjaft të prerë në atë cka kanë kërkuar nga punonjësit e tatimeve. “Edhe nëse plani i të ardhurave nuk realizohet, kjo nuk do të thotë që të gjobitet biznesi”, mësohet të jenë shprehur përfaqësuesit ndërkombëtar. a.n.
Karikatura, nga Medi Belortaja
Add new comment