"Emigrimit masiv” i mungon përgjigja ekonomike...

Gazeta “Shqip” raporton sot se në 10 ditët e fundit janë ndalur në kufi rreth 2000 qytetarë që mendohej se do të kërkonin azil për arsye ekonomike në Gjermani, apo vende të tjera të BE-së. E thënë ndryshe, Shqipëria po përshkuhet së fundmi nga një dëshirë në rritje për emigrim ekonomik. Duke pranuar këtë, është disi cinike, në mos e papërgjegjshme që të synosh ta trajtosh këtë situatë me mekanizma policorë. “Në portet kryesore, kontrollorët pyesin imtësisht personat që shkojnë drejt Italisë, ku është pika e parë mbërritëse për në Gjermani dhe interesohen për të gjitha pikat që kërkon procedura e Shengenit. Për shkak se shifrat e eksodit janë alarmante, policia ka shpërndarë qarkoren e brendshme, ku nga 12 drejtoritë e qarqeve kërkohet informacion rreth të dhënave për personat problematikë, të dyshuar si mbështetës të ikjeve. Një theks i veçantë i është vendosur Policisë së Qarkut Elbasan, Kukës dhe Vlorë, ku ky fenomen është hasur më shpesh…”, shkruan “Shqip”. Është pak a shumë e njëjta situatë që përjetoi Kosova, me të njëjtën përgjigje të autoriteteve, që me zërin e përfaqësuesve më të lartë, fliste për mashtrim, ndërkohë që nuk ishte në gjendje të bënte asgjë për ta neutralizuar atë. Qeveria e re e Kosovës, mori gjithsesi dy masa që flasin për kuptimin e gjendjes në planin e duhur: atë ekonomik. Vetëm pak javë më parë, u miratua ulja e TVSH për ushqimet e shportës dhe për energjinë, në mënyrë që kosotoja e jetesës të mos e bëjë edhe minimumim jetik, luks. Nëse kthehemi në Shqipëri, situata është më paradoksale dhe akuzon direkt qeverinë. Ka disa muaj, që kryeministri dhe drejtues të tjerë po propagandojnë se brenda 2014-ës janë punësuar 80-90 mijë njerëz. Kjo referuar skemës së sigurimeve shoqërore. Dhe shifra jepet duke shpërfillur faktin se ajo thjesht mund të pasqyrojë jo vende të reja pune si të tilla, por formalizim të tregut të punës. Gjithsesi, edhe nëse merret ashtu siç jepet, situata e krijuar duket sikur i mohon këtij punësimi masiv efektin e pritshëm: zbutjen e peshës ekonomike për mjaft familje. Emigrimi masiv, siç po quhet tanimë nga vetë qeveria, edhe sikur të jetë skemë mashtrimi, i bën jehonë një gjendjeje ekonomike të vështirë për qytetarët që po kërkojnë si rrugëdalje ikjen. Do shtuar se këtu hyn në punë edhe intuita ose ndjesia për një perspektivë të zymtë. Kontrasti theksohet edhe nga nisma si ajo e ëndrrës për vitin 2015 që publikohet gjerësisht nga kryeministri në Facebook, që rikrijon virtualisht skenografinë e filmave të dikurshëm të Kinostudios me fëmijë të varfër që shohin pas xhamit ëmbëlsirat të cilat thjesht, vetëm mund t’i ëndërrojnë. Qeverisë po i mungon, të paktën deri më tani, përgjigja ekonomike ndaj fenomenit dhe ndoshta për këtë shkak i ka hapur udhë ndërhyrjes së policisë. Jë ndërhyrje që nuk ka për të zgjidhur gjë, nëse kjo valë do të rritet. Vitet ’90 e provojnë më së miri këtë gjë. Aspekti pozotiv i kësaj krize që po mahiset, është se ajo shtron, edhe si perceptim i përgjithshëm, para qeverisë, sfidën ekonomike. Përgjigja ndaj saj është e matshme në efekte, ndaj edhe e kufizon në minimum rolin e demagogjisë. Nga kjo pikëpamje, është gjë e mirë që më në fund, një qeveri do të vlerësohet kryesisht dhe sidomos për masat që kanë të bëjnë me ekonominë. E bëjnë atë më të vërtetë. s.z
Add new comment