Eksperti i hodrokarbureve flet për rritjen e çmimit të naftës: Qeveria të vendosë mekanizma kontrolli

Pavarësisht uljes së vazhdueshme të vlerës në bursat ndërkombëtare, nafta në Shqipëri vazhdon të tregtohet me çmime të larta. Në fundjavë, një litër naftë në kryeqytet u tregtua me afro 187 lekë për litër, ndërsa në bursa çmimi të shtunën zbriti në 50.89 dollarë për fuçi, nga 52.2 dollarë që ishte para 4 ditësh. Ekspertët e hidrokarbureve flasin për abuzim të pastër, që sipas tyre ndodh për faktin se çmimi është lenë krejtësisht në dorën e tregtarëve të karburantëve dhe nuk ka mekanizma nga ana e qeverisë për të kontrolluar luhatjet në bursa dhe reflektimin në tregun shqiptar. Në një prononcim për “Tv Klan”, eksperti i Hidrokarbureve, Vladimir Puka, thotë se aksioni i nisur kundër abuzimeve në tregun e hidrokarbureve ka lënë në harresë kontrollin e çmimit. Puka thote se vetëm në një muaj e gjysmë, çmimi zyrtar i blerjes së naftës ra me katër deri në 5 lekë, por kjo nuk u reflektua në tregun shqiptar. Shqipëria ka prej kohësh çmimet më të larta në rajon. Në shtrenjtimin e naftës ekspertët thonë se kanë ndikuar edhe taksat. Por mungesa e reflektimit të ndryshimit të çmimit sa herë vlera ulet në bursë, konsiderohet si një ndër abuzimet kryesore në tregun e Hidrokarbureve.
Add new comment