Dualiteti patriotik Rama-Meta

Thuajse 1 muaj nga vizita e kryeministrit Rama në Beograd dhe Preshevë, Ilir Meta u shfaq në Gjilan në të parën vizitë të një kryeparlamentari shqiptar në këtë komunë të Kosovës. Ndonëse nuk pati jehonën e takimit të kryeministrit Rama dhe as pritjen që i rezervuan atij banorët e luginës, ky kalim i Ilir Metës nga Gjilani është në vazhdën e atyre tureve që politikanët e Tiranës ndërmarrin për të treguar peshën e tyre në hapësirën shqiptare. Mediatikisht vizita e kryeministrit Rama në Beograd dhe Preshevë ja arriti qëllimit për të rritur popullaritetin e tij, përmes një profili që krijoi entuziazëm në Kosovë, por që u prit mirë edhe në Shqipëri. Do ishte me interes një sondazh për të kuptuar efektet që pati në politikën e brendshme vizita e kryeministrit Rama në Beograd, ndonëse në radhët e mazhorancës socialiste nuk mungoi triumfalizmi jo vetëm për epërsinë ndaj opozitës së djathtë, por edhe ndaj partnerëve të LSI-së në qeveri. Në këtë “sukses” të politikës së jashtme nëse mund ta quajmë kështu, LSI nuk pati asnjë rol dhe as nuk tentoi të marrë dafina nga lavdia e kryeministrit Rama, por me vizitën e projektuar në Gjilan Ilir Meta nuk e la veten pa kurorën e politikanit me influencë dhe popullaritet në hapësirën shqiptare. Në Kosovë nuk e kanë të vështirë të gjejnë arsye për nderuar politikanët e shtetit amë, siç e përshkruan edhe motivacioni me të cilin komuna e Gjilanit i akordoi titullin “qytetar nderi” Ilir Metës. Veç kontributit për strehimin e shqiptarëve të Kosovës 15 vite më parë, ai u nderua edhe për faktin se vizitoi për herë të parë Gjilanin. Por për këtë dekorim dhe motivacionin mbi të cilin u mbështet pati kundërshti nga vetë asambleja komunale e Gjilanit. Një prej anëtarëve të saj, Isa Agushi tha se mirënjohja që mori Ilir Meta është private dhe i është dhënë vetëm nga Lutfi Haziri, një politikan i përfolur në Kosovë për lidhjet afektive me pushtetin e Tiranës dhe që në këtë rast mund t’i ketë ardhur në ndihmë Ilir Metës për të realizuar një vizitë të kësaj natyre. Sipas tij, Asambleja Komunale nuk ka marrë vendim që ta shpallë qytetar nderi Ilir Metën dhe nëse ai i ka bërë mirë Kosovës atëherë këtë titull duhet t’ia jepte komuna e Prishtinës. Edhe fjalimi i Ilir Metës në Gjilan ishte me tone të larta patriotike, përtej retorikës së moderuar që kreu i LSI-së ka treguar në raport me politikën e jashtme dhe çështjen shqiptare në Ballkan. Ndërsa zyra e kryetarit të Kuvendit e prezantoi si një vizitë me flamuj të shumtë nëpër gjithë qendrën e qytetit dhe billborde të z. Ilir Meta, që i uruan mirëseardhjen në Gjilan kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Pra nëse do të duhej të gjenim një metaforë për këto dy vizita të Edi Ramës e Ilir Metës, ata kanë shkuar në Kosovë si një shqiponjë me dy kokë, duke rikonfirmuar dualitetin e mazhorancës qysh nga koha kur të dy hodhën firmat për të dalë bashkë në koalicionin e zgjedhjeve të 23 Qershorit.
Leonard Mitro

Comments
Shikoni shkrimin "PRAPA
<p>Shikoni shkrimin <a href="http://peizazhe.com/2014/11/27/prapa-dualitetit-patriotik/">"PRAPA “DUALITETIT PATRIOTIK”</a></p>
Add new comment