Dossier/Kulisat e zgjedhjes së Vidit. Vjena dhe Roma, dakord për një kandidat protestan. Vatikani propozoi një princ mysliman, i refuzuar nga shqiptarët

Robert Elsie ka publikuar në faqen e vet online kujtimet e një diplomati austriak, Karl Buhberger, i cili ka qenë në oborrin e Princ Vidit. “Kujtimet e viteve të mia në Shqipëri”, titullohen kujtimet dhe ato përfshijnë një hark kohor përcaktues për krjimin e shtetit shqiptar. Po veçojmë atë pjesë që flet për diskutimet për zgjedhjen e princit të ri të Shqipërisë, meqenëse asokohe pati disa kandidatura dhe shumë lëvizje dipomatike në këtë drejtim.
“Shumë kandidatë u prezantuan për fronin e Shqipërisë. Mes tyre ishin Duka i Urah, princi Ahmed Fuad i Egjiptit, Duka i Tek-ut, princi Franz Josef i Batenberg-ut, duka i Montpensier, princi Luis Bonaparte dhe princi Vilhelem Vid. Italia refuzoi dukën e Urah-ut dhe pricin Batenberg si katolikë, kurse Monarkia e Dyfishtë nuk ishte në favor të princit mysliman Fuad. Italia druhej se me një katolik në fron, Monarkia e Dyfishtë(Austro-Hungaria) do të kishte shumë ndikim nën Kultusprotektorat të Austrisë. Dy fuqitë më në fund erdhën në një marrëveshje sipas së cilës, monarku në fjalë duhet të mos i përkiste asnjërit prej besimeve fetare të shqiptarëve, pra ai nuk duhet të ishte as mysliman, as ortodoks, as katolik. I vetmi që përmbushte këtë kusht…ishte princi protestan Vid. Tipike për situatën delikate që kishte të bënte me zgjedhjen e një monarku ishte incidenti që pasoi. Në gusht 1913, Vatikani bëri një përpjekje të vetën që të pengonte zgjedhjen e një protestani si monark të Shqipërisë. (Një)Kardinali në fjalë nga curia kërkoi një takim me të dërguarin e Austro-Hungarisë në Selinë e Shenjtë gjatë të cilit i shpjegoi se Vatikani do të preferonte një katolik në fronin shqiptar por i duhej që të kufizohej në shprehjen e preferencave të veta për shkak të rezistencës kategorike nga Kuirinale. Italia po e vëzhgonte me xhelozi Austrinë në zbatimin e Kultusprotektrat dhe do të bënte çdo gjë për ta minuar atë. Një monark katolik në Shqipëri do të kërkonte mbështetje nga Vatikani dhe kështu do të krijonte çarje mes Shqipërisë dhe Italisë. E kundërta do të ndodhte nëse do të zgjidhej një monark protestan. Ky ishte motivi pas strategjisë së Italisë. “Ma questo sarebbe un vero disastro”, thirri kardinali.(Kjo do të ishte një fatkeqësi e vërtetë). Vatikani ishte në çdo rast kundër një protestani dhe e shihte këtë si katastrofë. Pasi shpjegoi me hollësi arsyet e refuzimit të një kandidati protestan, ai bëri një propozim befasues. Vatikani vlerësonte përzgjedhjen e një kandidati mysliman si të vetmen zgjidhje të mundshme. Kardinali pastaj shprehu mbështetjen e tij për kandidatin Ahmed Fuad, me të cilin ishte në kontakt. “Princi”, tha ai, “ishte gati të deklaronte me shkrim se ai njihte Kultusprotektorat-in austriak pa asnjë rezervë dhe nuk do të bënte asgjë për ta ndaluar. Monarkia e Dyfishtë e hodhi poshtë këtë propozim sepse ai kundërshtohej nga shumica e patriotëve shqiptarë...”, shkruhet ndër të tjera në kujtimet në fjalë. Një pjesë e këtyre kujtimeve janë përkthyer edhe këtu: http://www.gazetastart.com/index.php?p=hg&hid=2026.
http://www.albanianhistory.net/en/texts1920-1944/AH1922_3.html
s.z
Add new comment