Doganat shqiptare nën administrimin e “Crown Agents”. Nishani nuk i kundërvihet ligjit për marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria shqiptare

Gazeta “Mapo” ka bërë të ditur sot lajmin se ligji për marrëveshjen e asistencës doganore mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë britanike “Crown Agents” ka hyrë në fuqi. Gazetari Fejzi Braushi shkruan se Presidenti i Republikës, nuk e ka dekretuar ligjin, por as e ka kundërshtruar atë, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi të ligjit. Marrëveshja u debatua gjatë në Kuvend dhe opozita reagoi por duket se kreu i shtetit ka menduar të mos dalë kundër saj. Marrëveshja parashikon një rol të kompanisë “Crown Agents” për të asistuar doganat shqiptare në administrimin më të mirë të të ardhurave. “Nëse merret për bazë përqindja e tarifës së suksesit që do të aplikohet për këtë kompani, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një nga marrëveshjet më të mirëpaguara nga qeveria shqiptare. Të paktën këtë e ka pretenduar edhe opozita, e cila në mënyrë të vazhdueshme e kritikoi qeverinë për termat për të cilët kishte rënë dakord me “Croën Agents”. Kompania do të ketë në Shqipëri 15 të punësuar të huaj, që do të jenë të përhershëm në Shqipëri, ndërkohë që do të ketë edhe ekspertë të përkohshëm. Kompanisë do t’i krijohen të gjitha kushtet me zyra dhe pajisje në mënyrë që të zhvillojë aktivitetin e saj dhe qeveria, përveçse do t’i vërë në dispozicion 10 makina që do të kushtojnë nga 40 mijë euro secila, do t’i paguajë edhe karburantin. “Crown Agents” ka premtuar se do të rrisë të ardhurat doganore nga 10.1 për qind të GDP-së në 11 për qind të GDP-së, çka në vlerë korrespondon me 121 milionë dollarë”, shkruan gazetari Braushi. Kështu mund të thuhet se që këtej e tutje, doganat shqiptare do të jenë nën administrimin e një kompanie private. Por kush është kompania “Crown Agents” dhe çfarë përfaqëson ajo? Një artikull të plotësuar me detaje dhe për përvojën e saj, mund të lexohet këtu: http://impakt.al/opinion/crown-agents-ballkani-teknikisht-nen-kontrollin-britanik
s.z
Add new comment