Disa pyetje që mbeten ende pa përgjigje nga çështja “Doshi-Frroku”

Dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, mund të konsiderohet si pasoja kryesore në planin institicional, që çështja “Doshi-Frroku” ka dhënë deri më tani. Artan Didi u largua duke deklaruar se nuk kishte patur kapacitete të ndalonte moszbatimin e procedurave ligjore nga ana e shefit të Zyrës së Interpol Tirana, që sipas akuzave të deritanishme, mendohet se ka mbulur kërkesën belge për deputetin Mark Frroku, i gjykuar në Belgjikë për vrasje. Sot “Top-Channel” raportonte se shefi i Zyrës së Interpol Tirana, Artan Bajraktari, një oficer më përvojë, mund të ketë njoftuar verbalisht për kërkesën, por nuk ka bërë regjistrimin zyrtar të saj(http://www.top-channel.tv/mobile/artikull.php?id=295938). Gjithçka mbetet për t’u hetuar, por në një vështrim të parë, çështja ngjan sikur po fut ujë nga shumë drejtime. Nëse drejtori i Përgjithshëm i Policisë largohet duke marrë përgjegjësi morale, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, mendoi të bënte propagandë dhe në koordinim me kryeministrin të deklaronte se do të bënte kallëzim penal ndaj deputetëve të PD-së, për shpifje, pasi deklaratat e tyre se ai dhe Rama kanë fshehur kërkesën belge është e paprovuar. Gjithsesi ka disa pyetje që me gjasë nuk do të marrin përgjigje. Duke nisur nga zhvillimet e sotme, mbetet ende e paqartë dhe e pakuptueshme shumë, e pasqaruar, se përse kreu i Interpol Tirana, do të mbante kërkesën belge në sirtar, duke ditur se çfarë përgjegjësie bart ajo. Së dyti, po për çështjen “Frroku”, Ministria e Brendshme ende nuk ka dhënë një sqarim zyrtar për hetimin që deklaroi se do të kryente për nxjerrje të sekretit në rastin e publikimit të shkresës sekrete të policisë gjatë operacionit “Laguna e Vilunit”, ku u ndalua makina e deputetit Mark Frroku, pasi në të dyshohej se fshihej një i kërkuar. Së treti, mbetet e paqartë se në cilat kushte hyn në skenën e çështjes “Doshi” deputeti Mark Frroku. Në videon e shfaqur nga Tom Doshi, por edhe në deklaratën shpjeguese të ministrit të Brendshëm, në momentin kur çështja u bë publike, emri i Mark Frrokut nuk del gjëkundi. Ai vjen në vëmendje në intervistën e Doshit në “Top-Story”, kur deputeti socialist deklaron se lajmin për vrasjen e mundshme e ka marrë nga Frroku. Më herët, një pretendent për vendin e parë në njoftimin e saj, ka qenë edhe gazetari Artan Hoxha, që u shpreh në “Opinion” se kishte qenë ai që kishte rënë në gjurmë të përpjekjes për vrasje dhe se kishte qenë ai që kishte lajmëruar Doshin. A e ka përcjellë këtë informacion Doshi, pra faktin se është njoftuar nga Frroku, te kryeministri, ministri i Brendshëm, apo kryetari i Kuvendit që në shtator të vitit të kaluar? Kjo mbetet e panjohur. Por asnjë prej tyre nuk e ka zënë në gojë Frrokun deri sa vetë Doshi e përmendi atë. Dhe së fundmi, pyetja kryesore është ajo se askush, as prokuroria, por as Doshi dhe as Ilir Meta, nuk japin një arsye se përse është ngritur i gjithë ky mekanizëm. Përse kjo vrasje e supozuar dhe nëse jo, përse kjo sajesë? Cili është konflikti që ka çuar deri në këtë përballje? Do duhet nënvizuar se çështja “Doshi” e ndarë nga çështja “Frroku”, provokon perceptime të ndryshme. Nëse akuzat e Tom Doshit vunë në pozicion të vështirë kreun e LSI-së, Ilir Meta, procedurat me çështjen “Frroku”, si në rastin e shkresës sekrete, ashtu edhe atë të Interpol Tirana, ekspozojnë Ministrinë e Brendshme. Diçka nuk ka finksionuar siç duhet, për të mos folur më tej, edhe për elementin bazë ku zë fill kjo histori, pra mosfillimin e hetimeve zyrtare dhe marrjen nën akuzë të Durim Bamit, që në momentin kur deputeti Doshi e bëri prezent shqetësimin e tij.
s.zaimi
Comments
E gjithe kjo histori, prej
<p>E gjithe kjo histori, prej fillimit deri ne fund, mund te shpjegohet vetem ne nje menyre. Duke marre per te vertete te gjitha ato qe thote Tom Doshi. Pervec nje detaji: motivin e tentatives per vrasje. Ky i fundit mund te jete i lidhur me afera jo te lehta per tu deklaruar. </p><p>Cdo qasje tjeter eshte e paqenrueshme.</p>
Add new comment