Debati në SHBA vijon: Me Mirandën apo kundër Mirandës?

Në SHBA vijon debati lidhur me ligjin me emrin ‘Miranda Right’ (e Drejta e Mirandës); është një ligj që detyron hetuesit që t’ia bëjnë me dije çdo autori krimesh, teksa janë duke e marrë në pyetje, se ai ka të drejtë të mos përgjigjet pa u konsultuar me një avokat, dhe se – në këtë formë cliché njihet më së shumti nga filmat e Hollywood-it – “he has the right to remain silent – ai ka të drejtën që ta mbajë gojën mbyllur, nëse do”. E Drejta e Mirandës, që ka lindur 47 vjet më parë në një çështje penale ku ish përfshirë dikush me emrin Miranda, është bërë pjesë e kulturës sonë kombëtare, thosh në një shkrim të vetin editorialisti i së përditshmes the Washington Post, Charles Lane.
Por editorialisti në fjalë nuk është dakord me zërat në mbrojtje të kësaj të drejte (shihni shënimin tonë të djeshëm në linkun http://respublica.al/artikuj/2013/04/22/debati-ne-shba-a-duhet-trajtuar-xhokar-carnajev-si-cdo-autor-tjeter-krimesh). Përkundrazi, është me idenë se kjo e drejtë mbron më shumë se sa duhet të fajshmit dhe lë pa mbrojtjen e duhur të pafajshmit. Përveç kësaj, rrethana si kjo e vëllait të vogël me origjinë çeçene, autor i krimit në Boston, shtrojnë nevojën që të rishihet e Drejta e Mirandës me synimin për ta përditësuar e aktualizuar si ligj. Charles Lane lë të kuptohet se është dakord me idenë për të bërë një përjashtim në emër të sigurisë publike, për ta anashkaluar këtë të drejtë në momentin e parë pas ndalimit. Në fund të fundit, precedenti që daton 47 vjet më parë, thotë autori, është një vendim i Gjykatës së Lartë Amerikane i marrë nga pesë anëtarë kundër katër të tjerëve. Shkurt, një rezultat shumë i ngushtë 5-4.
Kush njeh anglishten mund ta ndjekë shkrimin të plotë në linkun http://www.washingtonpost.com/opinions/charles-lane-an-update-for-miranda-rights/2013/04/22/ee104c1c-ab72-11e2-a198-99893f10d6dd_story.html?hpid=z3
Re.Pu.
Add new comment