Dashuria nuk njeh moshë.

Postuar në 24 Shtator, 2014 10:24

Rrëfim – Tre çifte britanike ndajnë me publikun historitë e tyre të dashurisë, që i kanë kurorëzuar me martesë. Mosha e tyre është faktori që lë gojëhapur këdo që i dëgjon rrëfimet, por të dashuruarit janë më të lumtur se kurrë

Histori grash të dashuruara në moshën 70-vjeçare

Nuk është kurrë vonë për të veshur fustanin e nusërisë. Shifrat e fundit tregojnë se numri i pensionisteve që po martohen në Britani, është rritur me 20 për qind. Tre çifte tregojnë sesi dashuria e vonë i ka sjellë jetës së tyre lumturi.

ZEMRA NUK PLAKET KURRË

Xhon (John) 68 vjeç dhe Maurin (Maureen) 77 vjeçe

Çifti u martua në qershor 2010. Maurin, e cila është 77 vjeçe, tregon: “Nuk isha martuar kur isha më e re, ndaj të gjeja dashurinë te të shtatëdhjetat, ishte një mrekulli! Kur isha në të tridhjetat jetoja ende me prindërit, e atëherë ata filluan të kenë shëndet jo të mirë. Hoqa dorë nga puna dhe vendosa t’u përkushtohesha atyre për 10 vjet”.

Gjatë kësaj torture, ajo njohu shumë miq të mirë, përfshirë Xhonin dhe Sindin që ishin fqinjët e saj. Xhoni ishte hidraulik, por shumë i shkathët për çdo gjë, ndaj ajo e thërriste t’i rregullonte problemet mekanike të shtëpisë. “Kur më vdiqën prindërit, kisha arritur te të gjashtëdhjetat.

Jetoja vetëm dhe e kisha ruajtur shoqërinë me Xhonin e Sindin. Kur kjo e fundit vdiq në vitin 2008, shumë njerëz i ofruan Xhonit ndihmën e tyre. Unë isha njëra syresh. Pas 30 vitesh shoqëri, romanca lindi mes nesh”. Gjërat u bënë akoma më të qarta kur Maurin veshi një fustan dhe i tha atij që i vinte keq që nuk do ta vishte herë tjetër. Burri iu përgjigj që të mos ia tregonte (është fat i keq të shohësh më parë nusen me fustan), ku i dihej mund ta vishte përsëri një herë tjetër.

“Marrëdhënia jonë lindi një ditë kur isha ulur në shtëpi dhe po qaja. Kisha thyer krahun e nuk e ngisja dot makinën për të shkuar në një dasmë në Skoci”. Xhoni i dha pará për trenin dhe i tha se do të shiheshin kur të kthehej. Ata ndërmorën një udhëtim njëjavor, pas të cilit nuk ishin më të njëjtët. Miqësia ishte kthyer në dashuri të thellë. Xhon dhe Maurin janë bërë qysh prej dasmës në vitin 2010, të pandarë. Ata i gjenden pranë njëri-tjetrit për t’u kujdesur dhe për të nxitur shoqi-shoqin që të realizojnë ëndrrat. Xhon shprehet: “I kërkova Maurin të martoheshim, sepse në moshën tonë nuk e kemi luksin e pritjes”.

Viktor (Victor) 77 vjeç dhe Babs 76 vjeçe

Ata u martuan në Londër në vitin 2013. Kanë 4 fëmijë dhe 11 nipër e mbesa. Kur u takuan për herë të parë, ata ishin miq familje si dy çifte krejtësisht të ndryshme.

Kur gruaja e Viktorit vdiq nga kanceri dhe kur bashkëshorti i Babs u diagnostikua me kancer gjithashtu, gjërat ndryshuan përgjithmonë. Në vitin 2010, kur të dy bashkëshortët respektivë të çiftit të martuar së fundmi kishin vdekur, ata u ritakuan për një filxhan kafeje.

Pas asaj dite, ata bënë pushime së bashku në Karaibe. Ndonëse kaluan bukur, romanca nuk ishte në mendjen e tyre. Vjeshtën e atij viti, ata ndërmorën një tjetër udhëtim, kësaj here në Venecia.

“Një natë, teksa shihnim detin nga anija jonë, Viktori më kërkoi të martoheshim. U ndjeva në panik. Doja të vazhdonim të ishim miq të mirë, sepse nuk isha gati të bëja një betim. Iu përgjigja se do të mendohesha. Janarin tjetër shkuam në një udhëtim me anije.

Isha e frikësuar mos ai e përmendte përsëri atë bisedë, por ai nuk e hapi fare. Dy muaj më pas, ne po pinim kafe në shtëpinë time kur ai m’u ul në gjunjë dhe më kërkoi dorën. Kësaj here thashë ‘po’, pa ngurruar. Viktori tregon, nga ana e tij, se gruaja që i kishte vdekur, ia kishte lënë porosi që të mos jetonte i vetëm dhe ai vendosi ta ndjekë këshillën dhe të rigjejë dashurinë.

Zhaklina (68 vjeçe) dhe Ralfi (79 vjeç)

“Kur im shoq vdiq, ne kishim kaluar 42 vite të lumtura martese. Kjo ndodhi në vitin 2008 dhe pa kaluar shumë më vdiq edhe nëna. Isha një person i shoqërueshëm, por humbjet më kthyen në një grua të vetmuar që vajtonte në shtëpi. Pesë vite më pas arrita në përfundimin se nuk doja të vdisja e vetme. Doja të më donin përsëri. Marsin e shkuar takova një fytyrë të njohur në supermarket: Ralfin. Vëllai i tij kishte jetuar në shtëpinë ngjitur me timen shumë vite më parë.

Biseduam dhe zbuluam që i kishim humbur të dy të dashurit tanë prej kancerit. Pas kaq vitesh zi më në fund m’u duk se u gjallërova përsëri. Patëm diçka të veçantë ndërmjet nesh. Nuk doja të nxitoheshim, por Ralfi mendonte ndryshe. Kaluam bashkë pushimet dhe gjithçka dukej si çmenduri. Ishim shumë të lumtur. Shtëpia ime u përmbyt nga lulet që ai m’i dhuronte çdo ditë.

Disa muaj pas takimit tonë, vendosëm të martoheshim dhe bëmë gjënë e duhur. Koha nuk ishte në anë tonë që të mund të prisnim. Në shkurtin e këtij viti u martuam”. Ralfi tregon se martesa në këtë moshë është një privilegj. “Nuk kemi përse lodhemi për ta fituar jetesën, nuk kemi sfida apo vështirësi, vetëm jetë të qetë e ditë të lumtura”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.