D. Shehi: “Nuk besoj se opozitën e kthen në pushtet çështja “Doshi”. Meta duhet të japë dorëheqjen, por edhe opozita duhet të ketë besim tek institucionet”

Deputeti i djathtë, Dashamir Shehi, ka shprehur sot në studion e “News24”, disa mendime për situatën politike dhe qëndrimet e opozitës. Sipas tij, opozita po izolon veten nëse do të vijojë me protestën, aq më tepër që çështja “Doshi”, sipas Shehit, nuk mund të kthehet në instrument kryesor për të bërë opozitë. “Unë nuk besoj që opozitën e kthen në pushtet çështja “Doshi”, nuk e kthejnë situata krimi, sado të rënda, por idetë për të ecur përpara. Tezat e vërteta për të kundërshtuar këtë shumicë i kemi aty”, tha Shehi. Lidhur me qëndrimin e kreut të Kuvendit, ai ka deklaruar se Meta duhet të jepte dorëheqjen, por nga ana tjetër ka shtuar se opozita duhet të lërë institucionet të flasin. “Mendoj se Meta duhet të jepte dorëheqjen dhe është në kohë ta bëjë për të rikuperuar shumëçka. Por nga an tjetër unë mendoj se opozita duhet të alternojë protestën që nëse vazhdon kështu do konsumojë arsyet e veta. Duhet të flasin institucionet, gjyqësori, se këta gjykatës, një pjesë e tyre, janë zgjedhur në kohën kur shumicë ishte opozita e sotme. Edhe te këta nuk do kenë besim?”, tha ai.
Add new comment