Besnik Gjongecaj publikon një libër mbi politikën. “Është fiction plus reality”, thotë

E përditshmja Shqiptarja.com i ka marrë një intervistë Besnik Gjongecajt, ish sekretar i përgjithshëm i PD-së në vitin e tmerrshëm 1997 (në prill të këtij viti ka dhënë dorëheqjen nga ky post). Qysh nga ai mot, Gjongecaj ka bërë pedagogun, dhe herë pas here opinionistin në shtypin e përditshëm. Si shkak për intervistën ka shërbyer publikimi i një libri të shkruar nga vetë Gjongecaj (“është fiction plus reality”, thotë për këtë gazetë). Është një libër me titullin “Në morgun e politikës”, në të cilin autori shpjegon motivet e divorcit të hershëm me PD-në dhe jep konsiderata të tjera mbi politikën në përgjithësi.
Ndërsa i kërkohet një anektodë a ngjarje nga libri, Gjongecaj kthehet sërish në vitin 1997, në atë kohë kur “problemet e mëdha të vendit, përfshirë financat, fshiheshin nga njerëz që kishin lidhje të drejtëpërdrejtë me to”. Dhe vijon: “Unë mbahesha në errësirë… isha sekretar i përgjithshëm, por e kisha të pamundur të merrja vesh se ç’po ndodhte me financat. Ishte një stil i njohur në PD. Problemi që lindte diskutohej veç nga disa autoritete të partisë. Lojtari më ‘virtuoz’ në këtë mes ishte kryetari gjasme i PD-së, Tritan Shehu. Kur binte fjala për krizat piramidale, nuk di pse ai krruhej vazhdimisht. Nuk e mbaj mend se si e fillonte krruarjen, por di që krruhej kudo e papushim”.
Re.Pu.
Add new comment