Berisha në “TV Klan”: Rama po fut sherrin në rajon, gaboi me Maqedoninë

Në një intervistë për Televizionin Klan, duke iu referuar mesazhit që Kryeministri Rama i përcolli Greqisë në konferencën për shtyp me Kryeministrin Vuçiç, ish-kryeministri Berisha thotë se kjo është një formë e vjetër e politikës së jashtme dhe e papranueshme. Rezervat për qeverinë nuk i kursen edhe përsa u përket marrëdhënieve me Maqedoninë. Ish – kreu i qeverisë e quan të gabuar deklaratën e Kryeministrit shqiptar në lidhje me të ardhmen e Maqedonisë në NATO. Përsa i përket vizitës së Kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, Berisha thotë se ajo ishte pozitive, ndonëse nuk shënoi ndonjë hap konkret dhe shpreh rezerva për cilësimin e saj si “vizitë historike”. Sa u përket zhvillimeve të brendshme, ish – Kryeministri ndalet tek fushata zgjedhore, duke iu përgjigjur së pari interesit se përse ai ka qëndruar larg saj, ndonëse në parlament është ai që udhëheq aksionin politik të opozitës. Ai konsideron të suksesshme dhe si ringjallje të shpresës për shqiptarët, atë të opozitës. Ndërsa përsa i përket fushatës së mazhorancës, ka kritika të forta kryesisht për Kryeministrin dhe raportin e tij me premtimet e bëra dy vjet më parë. Dekriminalizimi thotë se është një proces i pandalshëm për opozitën dhe se e vetmja pengesë për këtë proces është kreu i mazhorancës. Ish – Kryeministri Berisha ka një përgjigje edhe për investigimin e Ambasadës Amerikane, që gjeti persona me rekorde kriminale në listat e kandidatëve të disa partive.
Add new comment