Bekim Fehmiu rrëfen vizitën e parë dhe të fundit në Tiranë

Shqipi i sotëm kish publikuar një intervistë marrë aktores Ema Andrea lidhur me takimin që kjo e fundit ka patur në Beograd me Bekim Fehmiun, por në të njëjtën faqe kish publikuar dhe një pasazh nga një libër me kujtime i aktorit të madh me origjinë shqiptare. Në këtë pasazh jepen disa fakte interesante nga një vizitë e parë dhe e fundit që aktori ka bërë në Tiranë, në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Dhe aty ka disa momente interesante, që ia vlen të veçohen:
-… Më njohën me dy regjisorë të rinj nga Shqipëria, Piro Milkanin dhe Dhimitër Anagnostin. – A do të kishit ardhur te ne si i ftuar? – më pyet Dhimitri, ai shtatshkurtri me tipare të zeza, i cili studimet e kamerës dhe të regjisë i kishte kryer në Leningrad dhe në Moskë. – Me shumë dëshirë, nëse më ftoni! Atelie 212. Jam i ulur në bufe me kolegët. Hyn Borisllav Mihajlloviç-Mihizi, një nga intelektualët më të mëdhenj të vendit. “Dëgjova se do të shkosh në Shqipëri. Atje jeton një shkrimtar i madh. Quhet Ismail Kadare. Ka shkruar një roman të mrekullueshëm, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Shiko nëse mund të ma sjellësh”….
-… Për herë të parë në Tiranë. Procedura me kufitarët e ashpër dhe me doganierët, të cilët ngjasin me aerodromin, shkoi pa vështirësi, sepse më prisnin Dhimitër Anagnosti dhe Piro Milkani, si dhe drejtori i Kinostudios. – A flisni shqip? A njihni njeri në Shqipëri që do të dëshironit të takonit? Më ndihmuan të sistemoj valixhen time të udhëtimit në bagazhin e automjetit tip “Lada”. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, drejtori më pyet përsëri. – A keni ndonjë dëshirë që do të mund t’ua plotësonim sa jeni në Shqipëri? – Kam dy. E para, t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga ana e nënës sime, bashkëshortes së Bajram Currit, Dervishe Hanëmit. E dyta, të shoh dashurinë time të parë. U stepën. – Ju keni një dashuri të parë në Shqipëri? Si quhet? Prej nga është? – Nga Shkodra. Quhet Bukuroshe Tahiri. Ka një vëlla, i cili quhet Riza dhe një motër me emrin Safete. – Mirë! Do të shohim! Më sistemuan në hotel “Dajti” në qendër të qytetit. Më pëlqeu heshtja, pa atë zhurmën e qarkullimit të automjeteve, vetëm ndonjë biçikletë. Tirana duket e bukur. Bulevarde të gjëra, me shumë lule, me pemë anash…
-…Vizitova Akademinë e Arteve. Kinostudion. Biseda të thjeshta. Pyetjet, profesionale. Ndihet kërshëria e tyre, dëshira për të ditur sa më shumë. Pyetjet i bëjnë të përzgjedhurit. Jashtë në rrugë më drejtohet një djalosh me trup atleti, me sy të zinj dhe të mëdhenj, me flokë të zinj të dendur: “A mund të më jepni një autograf? Unë jam student i vitit të tretë të Akademisë së Teatrit. Quhem Timo Flloko. Kam një motër në Jugosllavi. Njerëzit e mi janë nga Peja…” Ata që më shoqëronin ma bënin me shenjë që të nxitoja. – Ju do të jeni Omar Sharifi shqiptar! – i them djaloshit kur u ndamë….
Të gjithë materialin mund ta lexoni në linkun http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/05/21/ne-shqiperi-per-te-kerkuar-te-dashuren-e-pare/
Ndërsa intervistën e Ema Andreas mund ta ndiqni në linkun http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/05/21/mbremjet-ne-beograd-me-bekim-fehmiun/
Re.Pu/
Comments
Faleminderit ResPublica, per
<p>Faleminderit ResPublica, per keto copeza pikante qe na servirni!</p>
Add new comment