Bashkim Tahiri, babai i ministrit të Brendshëm: Kur të mbarojë punë drejtësia do flas unë

“Gazeta Shqiptare” shkruan sot se Bashkim Tahiri, babai i ministrit të Brendshëm, nuk ka hezituar të kthehet në farmacinë e tij pas shpërthimit të tritolit. I shoqëruar nga dy civilë, roje personale të vendosur rishtas, babai i ministrit të Brendshëm ditën e djeshme është shfaqur në biznesin e tij privat, në krye të punëve. Ka qenë ora 12:30 minuta kur babai i ministrit të Brendshëm u shfaq për pak minuta tek ambientet e farmacisë së tij, ndërkohë që shumë njerëz kanë shkuar ta takojnë dhe t’i shtrëngojnë dorën. “Gazeta Shqiptare” thotë se Bashkim Tahiri u ka qëndruar larg mediave, ndërsa nga larg është parë teksa u ka dhënë disa direktiva njerëzve të tij më të afërt dhe pas 10 minutash është larguar nga farmacia, e cila dy ditë më parë u hodh në erë si pasojë e shpërthimit të 400 gramë tritol që ishin vendosur te kondicione ri i saj. “Gazeta Shqiptare” ka mundur që ta kontaktojë në telefon babain e ministrit të Brendshëm, por ai nuk ka pranuar që të komentojë shumë rreth ngjarjes së ditës së martë, ku familja e tij ishte në shënjestër të atentateve me tritol. “Ju falënderoj për solidarizimin dhe për telefonatën tuaj. Unë nuk dua të komentoj shumë rreth kësaj ngjarjeje, ia kam lënë në dorë drejtësisë. Kur të mbarojë punën drejtësia, atëherë do të flas unë”, është shprehur 64vjeçari për “Gazeta Shqiptare”.
l.v
Add new comment