Bëhet publik raporti për korrupsion në misionin e EULEX-it në Kosovë. “Koha Ditore” thotë se është sipërfaqësor e më shumë shihen si një “menaxhim i dobët” sesa shkelje në funksionimin e misionit

Postuar në 15 Prill, 2015 02:13

“Koha Ditore” raporton se dy javë pasi kishte marrë raportin e ekspertit të pavarur dhe të jashtëm, Jean Paul Jacque, lidhur me hetimet që ai kishte zhvilluar rreth pohimeve për korrupsion në misionin e EULEX-it në Kosovë, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka vendosur dje ta bëjë atë publik, duke ua dërguar së pari vendeve anëtare dhe deputetëve të Parlamentit Evropian e më pas edhe duke e botuar në tërësi në web faqen e Shërbimit të jashtëm të BE-së në krye të të cilit është ajo. “Koha Ditore” shkruan gjithashtu se mënyra se si u bë publik ky dokument lë përshtypjen më shumë se është një “raport i brendshëm” sesa “i pavarur dhe i jashtëm”, sepse u botua në faqen e misionit të EULEX-it dhe të BE-së, iu dërgua shteteve anëtare dhe deputetëve të Parlamentit, ndërkohë që vetë autori nuk ishte në dispozicion të gazetarëve për pyetje rreth raportit. Ky raport i cili është pritur me kureshtje që nga koha kur Mogherini kishte emëruar profesorin Jacque të bënte hulumtime rreth mandatit të EULEX-it, nuk ka sqaruar shumë rreth akuzave për korrupsion në këtë mision, por në masë të madhe ka arsyetuar mënyrën se si misioni është marrë me këto çështje. “Koha Ditore” thotë se kritikat janë kryesisht sipërfaqësore dhe më shumë shihen si një “menaxhim” dhe “komunikim i dobët” sesa shkelje në funksionimin e misionit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.