Avokati Vladimir Meçe ngre disa pikëpyetje për vendimin e Kuvendit dhe zbulon strategjinë e betejës gjyqësore që do të ndjekë Tom Doshi

Postuar në 30 Mars, 2015 14:01

Avokati i deputetit Tom Doshi paralajmëron se beteja ligjore do të vijojë në hallkat e tjera të sistemit gjyqësor. I ftuar në studion e Adi Krastës, avokati Vladimir Meçe tha se në kushtet kur Gjykata e Lartë ka vendosur deklarimin si të ligjshëm të ndalimit të Doshit dhe ka caktuar për të si masë sigurimi “arrestin në shtëpi”, hapësirat për kundërshtimin e këtij vendimi janë të pakta pasi ai është vendim gjyqësor që  pranohet si i tillë dhe është një vendim ezaurues. Megjithatë, avokati tha se po përgatitet një betejë juridike në Gjykatën Kushtetuese e madje edhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Ne do të gjejmë mënyrën për ta kundërshtuar dhe po përgatitemi për ta kundërshtuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Jo për sa i përket masës së sigurimit,por për sa i përket pikërisht asaj të drejte kushtetuese e cila është shkelur, pra neni 73 pika 2 e Kushtetutës lidhur me ndalimin që ka realizuar në mënyre të kundraligjshme Prokurori i Përgjithshëm. Dhe për këtë, unë jam i bindur që qoftë Gjykata Kushtetuese do të na legjitimojë fillimisht e më pas le të presim vendimin e saj,por nuk mbaron këtu. Beteja jonë do të vazhdojë deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg lidhur me këtë fakt” tha Meçe.

Avokati i Doshit ka hedhur dyshime dhe kritika të forta për rrugën ligjore që është ndjekur kundër deputetit për ndalimin  e tij.  Duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit për ndalimin e deputetit, avokati tha se vetëm fakti se kërkesa ishte jashtë kompetencave duhej t’u shërbente deputetëve anëtarë të komisionit parlamentar të mandateve dhe imuniteteve që të rrëzonin kërkesën. Meçe e cilëson si vendim politik miratimin nga Komisioni parlamentar i Mandateve të kërkesës për ndalimin e Doshit, ashtu sikurse ngre edhe pikëpyetje të forta mbi argumentet që kanë shoqëruar vendimin e komisionit që ka kaluar për votim në Kuvend.  “Vendimarrjen e ka sigurisht parlamenti në seancë plenare, por këta duhet të rekomandonin me një vendim të arsyetuar qëndrimin e tyre.E vërteta është se deri më sot një vendim i tillë i shkruar nuk ekziston, sikurse asnje vendim i shkruar i arsyetuar i parlamentit në datën 27 kur ai mori vendimin për të lejuar Prokurorin e Përgjithshëm, pra i dha autorizimin Prokurorit të Përgjitshëm për të vijuar me arrestimin e me kontrollin e banesës te deputetit Doshi” tha Meçe.

Intervista video: https://www.youtube.com/watch?v=T5tQ4ErxVzE

n.k

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.