Artan Bajraktari flet për “Gazeta Shqiptare”: Ndalimi im ishte një veprim emocional i Policisë së Shtetit

“Ndalimi im ishte një veprim emocional i Policisë së Shtetit”, citon “Gazeta Shqiptare” ishshefi i zyrës së INTERPOL Tirana, Artan Bajraktari i cili e ka cilësuar në këtë mënyrë prangosjen e tij. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, ishzyrtari shprehet se e gjithë kjo ngjarje nuk ka asnjë ndikim për atë. “E gjitha kjo ngjarje, ndalimi im, për mua pati efekt të tillë, sa 2 kokrriza rëre. Mund të them se ndalimi im ishte një veprim emocional, një veprim i shpejtë i Policisë së Shtetit”, tha Bajraktari. Ai u ndalua pak ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohej se kishte vonuar “urdhërarrestin” e deputetit Mark Frroku. Bajraktari i është shmangur pyetjes së “Gazeta Shqiptare” nëse ai për kërkesën për arrestin ndërkombëtar të deputetit kristiandemokrat, Mark Frroku ka vënë në dijeni apo jo eprorët e tij. “A kam vepruar sipas ligjit? Është shumë herët që të flas, sapo është dhënë vendimi i gjykatës dhe unë dua kohë që ta mbledh veten”, dhe më tej Bajraktari. Më pas ishkreu i INTERPOL Tirana është shprehur se nuk do që të flasë më gjatë për këtë çështje dhe se çdo shpjegim e ka dhënë në seancën e gjyqit.
Add new comment