Analiza e Marcus Tanner/ Kufijtë e 1913 janë të gabuar, fantazma e Shqipërisë së Madhe nuk ikën

Postuar në 28 Mars, 2015 00:39

“Pavarësia e Kosovës ka dhënë një zgjidhje të pjesshme të gabimit të madh të fuqive të mëdha me kufijtë e vitit 1913, por integrimi në Bashkimin Europian i Ballkanit do të japë zgjidhjen finale”, shkruan Marcus Tanner, redaktor për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, dhe gazetar i jashtëm për gazetën Britanike, Indipendent. Në një shkrim-analizë që botohet tek ‘Reporter.al”, ai shkruan se mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë shkaktoi një stuhi të parashikueshme mbi komentet për bashkim kombëtar nga disa pjesëmarrës. “Edhe një herë, hija e Shqipërisë së Madhe po shqetëson Ballkanin, në veçanti, Serbinë. Beogradi ‘nuk do të rrijë në heshtje ndërsa Shqipëria e Madhe po krijohet,’ ulëriti Ministri i Drejtësisë së Serbisë. Serbët nuk janë të vetmit që ankohen. Disa në Shqipëri kritikojnë vetë politikanët e tyre për shkak të asaj që e shohin si retorikë nacionaliste të përdorur për qëllime të pista të vetë politikanëve”. Më tej në analizën e tij Marcus Tanner thotë: “Në rastin e Shqipërisë, nacionalizmi i “të madhes”, apo irredentizmit do të mbetet në lojë – pavarësisht nëse politikanët luajnë apo jo me të – deri sa kufijtë e vendosur në mënyrë të çmendur të këtij vendi do të bëhen të parëndësishëm nga integrimi Europian i Ballkanit. Kufijtë e vendosura më 1913 lanë shumë tepër shqiptarë jashtë shtetit kombëtar dhe kjo bën që ndjenja e Shqipërisë të Madhe të ekzistojë në një farë forme”. Analisti britanik thotë se “Duke kërkuar për një libër mbi udhëtaren angleze të Ballkanit Edith Durham, arrita të kuptoj se sa të pavlerë dhe sa të dëmshëm qenë vendimet e vitit 1913. Vetë Durham arriti të ndryshojë kufirin e Shqipërisë së jugut duke i dërguar një telegram të shënjestruar mirë Konferencës së Londrës në të cilën ajo kërkoi që qyteti i Korçës t’i jepet Shqipërisë në vend të Greqisë. Kufiri u zhvendos në jug, duke shkaktuar zemërim në Athinë. ‘Ndihmova për të shpëtuar Korçën,’ shkroi shkurtimisht Durham pak më vonë”. Në fund të analizës së  tij Marcus Tanner shkruan: “Tashmë është tepër vonë për të kthyer orën pas dhe për të ndryshuar kufijtë e Ballkanit. Dhënia e pavarësisë për Kosovën ka mjekuar disa nga plagët e krijuara më 1913. Nëse kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë vijon të ekzistojë, tashmë ai ndan dy vende që flasin shqip. Sërish, dëmi i kryer më 1913 nuk është riparuar siç duhet, dhe nuk do të riparohet, deri sa i gjithë rajoni të jetë tërësisht i integruar në Evropë – gjë që do t’i bëjë këto kufij gjysmë të parëndësishëm. Vetëm atëherë dhe jo më parë, fantazma e Shqipërisë së Madhe nuk do të na përndjekë më”.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.