Ambasadori gjerman, Hellmut Hoffmann, në Shqip: Ishte mbresëlënëse vizita ime në Borovë

Postuar në 03 Nëntor, 2014 06:14

Emisioni i sotëm i Rudina Xhungës është xhiruar në varrezat e Borovës. I kushtohet masakrës ku fshati humbi 107 jetë brenda një dite. Pleq, gra, fëmijë u vranë nga gjermanët. Pas 71 vjetësh, "Shqip" rikthehet për të ritreguar historinë. Një debat me gazetarë, dëshmitarë dhe historianë, një debat i xhiruar në varrezat e Borovës, aty ku 107 varret e një fshati, dëshmojnë historinë e Luftës. Dhe një intervistë. Me ambasadorin gjerman Hellmut Hoffmann.

RXH - Zoti ambasador, pse vendosët të shkoni në Borovë, në përvjetorin e masakrës?

Kur erdha në gusht të vitit të shkuar ne Shqipëri, dija pak rreth vendit tuaj. Dhe sigurisht që nisa të informohesha. Mësova se Shqipëria dhe Gjermania kanë marrëdhënie shumë të mira, që Gjermania është e nagazhuar fuqishëm këtu në kuadër projektesh të shumta, dhe që në Shqipëri njerëzit janë shumë miqësorë kundrejt gjermanëve. Por ndër të tjera mësova gjithashtu se mbi këto marrëdhënie ka edhe një hije, le ta quajmë hije historike… është pikërisht 6 korriku i vitit 1943 kur trupat gjermane shkaktuan një masakër të vërtetë, si një aksion shpagimi kundrejt një sulmi të partizanëve ndaj një njësie gjermane. Ne në Gjermani pas vitit 1945 kemi qenë shumë të hapur përkundrejt të shkuarës sonë të regjimit nacionalsocialist, dhe pas vitit 1989 edhe përkundrejt asaj të regjimit të RDGJ-së. Në fakt janë dy periudha të shkuara të ndryshme nga njëra-tjetra, por ne merremi intensivisht me to. Ndaj për mua ishte dika e vetëkuptueshme që unë duhej t’u dëshmoja respektin tim viktimave të Borovës duke marrë pjesë në aktivitetin përkujtimor të datës 6 korrik. Për një gjerman ky nuk është një hap i lehtë për t’u bërë, edhe pse një gjerman i gjeneratës së pasluftës nuk mban një përgjegjësi personale lidhur me ngjarjet. Por më duhet të them se për mua ishte një ngjarje tejet mbresëlënëse, dhe është kënaqësi të shohësh  se si sot ne, pra Gjermania dhe Shqipëria, kërkojmë dhe gjejmë së bashku rrugën drejt Evropës.

Cili ishte perceptimi juaj për takimet dhe bisedat në Borovë?

Më duhet të them se ajo çka përjetova në Borovë më ka lënë shumë mbresa. Fillimisht më gëzoi së tepërmi ftesa që mora për të marrë pjesë dhe folur atje. Kam qenë shumë i prekur prej mënyrës dinjitoze në të cilën u zhvillua ai aktivitet përkujtimor. Bëra biseda të ndryshme me viktimat e asaj ngjarjeje, dhe u emocionova mjaft nga një zonjë në moshë e cila ashtu e trazuar emocionalisht më rrëfeu, se si ajo ishte e vetmja e mbijetuar e familjes së saj. Ajo më tregoi më pas edhe një histori të vogël: para disa vitesh vajza e saj i kishte thënë se ishte lidhur me një djale  gjerman. Njerëz nga rrethi i miqve i kishin thënë se nuk shkonte, që vajza e saj të shoqërohej me një gjerman, ndërsa ajo vetë kishte reaguar duke thënë: jo, nuk ka asnjë problem, sepse tani gjermanët janë ndryshe. Këto fjalë më prekën shumë. Në tërësi pastaj mund të them se u impresionova mjaft në njërën anë nga përkujtimi dinjitoz i ngjarjes dhe nga ana tjetër nga mënyra miqësore, me të cilën u sollën me mua. Ishte, pra, mjaft mbresëlënëse të shihje se si përkujtohej e shkuara, por pa ushqyer ndjenja mërie e pakënaqësie.

Çfarë mund të bëhet për të mbajtur gjallë kujtesën?

Dëshiroj të them fillimisht se në parim unë e konsideroj mjaft të rëndësishme përballjen me historinë. Ne në Gjermani e kemi bërë këtë me një intensitet vërtet të madh,  dhe besoj,  edhe me sukses. Ndaj më duket dicka pozitive që të zhvillohen aktivitete përkujtimore të këtij lloji, apo që në televizion të realizohen fimla dhe emisione rreth këtyre ngjarjeve historike dhe mënyrës së përballjes me to. Për sa i përket ngjarjes në Borovë , vetë qytetarët e atjeshëm m’u drejtuan gjatë aktivitetit me lutjen për të mbështetur ngritjen e një muzeu në funksion të kujtesës historike të ngjarjes, dhe atëherë unë i  sigurova për ndihmën dhe mbështetjen time, gatishmëri të cilën e konfirmoj sërish.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.