Agron Gjekmarkaj shkruan për “Pax-Albanica”, por në dritën e vizitës së Papës. Dhe flet për raporte të reja brenda shqiptarëve

Agron Gjekmarkaj shkruan sot te “Panorama” një opinion me titullin: “Pax-Albanica” e Mustafa Nanos dhe vizita e Papës”. Opinioni në fakt është fjala e Gjekmarkajt mbajtur me rastin e promovimit të librit pak ditë përpara vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. Ndryshimet e tekstit, janë bërë në funksion dhe në përshtatje me zhvillimet e vizitës, që sipas Gjekmarkajt, i dha të drejtë Mustafa Nanos. “Një sërë hipotezash të shfaqura në këtë tekst që ka luajtur me zjarrin pa i fryrë atij, u vërtetuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit””, thotë Gjekmarkaj. Vërtetim i cili, sipas tij, shtron një pyetje që merr shkas nga “pjesëmarrja në një meshë papnore e 150 mijë myslimanëve shqiptarë: “Mos “Pax-Albanica” po ndërtohet mbi raporte të reja?”, pyet Gjekmarkaj, duke zbuluar në fakt edhe atë që është çështja e vërtetë me përjetimin, nga disa grupe ose njerëz, të vizitës. Do kujtuar edhe propozimi i deputetes Doda për shpalljen e 21 shtatorit si ditë kombëtare, ose shkrimi i sotshëm i Mark Markut, që ndërkohë që shkruante për rishikimin e historisë nga një “historian i Enverit”, kundërvendoste si peshë morale, pikërisht vizitën e Papës. Të gjitha një apel për të lexuar këtu një orientim të ri të shqiptarëve, të cilët vërtet asistuan meshën, por e bënë këtë natyrisht jo vetëm si besimtarë, por për shumë arsye. Përfshirë, mobilizimin e përgjithshëm të politikës, buxhetit dhe medias. Arsye është edhe sevdaja e madhe për ngjarje, që kemi pak a shumë si njerëz, sikurse edhe perceptimi se nga vizita veç të mira mund të kishim. Por edhe ndjesia e madhe e boshllëkut, që këtë vend nuk para e begenisin, është arsye jo e vogël. Ndaj të kërkosh te 150 mijë myslimanët(?!) e pranishëm në bulevard, raporte të reja, është disi e patakt, pasi siç u tha në fushatën për Cenusin e fundit “besimi është çështje private”. Dhe besimi fetar, nuk ka pse të aludohet, ose të merret si premisë për përkatësi qytetërimore, aq më tepër që edhe Papa tha se “Shqipëria është vend europian”. Përndryshe do pyetur se përse vallë gjithë ajo gjullurdi dhe artileri morali patriotik ndaj Maks Velos?
s.z
Add new comment