“Preludi Jugosllav”, kujtimet dhe konkluzionet e një ish-diplomati

“Rusia ridoli në skenë edhe njëherë. Por cili ishte misioni i saj? Të ndihmonte amerikanët që të dilnin nga një rrugë pa krye dhe të bindnin Millosheviçin që të pranonte kushtet e NATO-s”. Ky është një konkluzion që i përket ish-zv.ministrit të Jashtëm rus, nga vitet 1986-1994, Anatoly Adamishin, i cili para një muaji ka publikuar një artikull të gjatë për politikën e Jashtme ruse pas viteve ’90. “Preludi jugosllav”, e quan artikullin Adamishin, i cili në pozitat e një ish-ambasadori në Itali dhe si një ndër titullarët e diplomacisë sovjetike, e më tej asaj ruse, ndërton një itinerar të detajuar të shkatërrimit të Jugosllavisë. Artikulli ka vlerën e vet, sepse përcjell perspektivën ruse mbi zhvillimet që zunë vend në Ballkanin e pas viteve ’90 dhe siç mund të shihet në shkrim(http://eng.globalaffairs.ru/number/The-Yugoslav-Prelude-16158), shkrirja e Jugosllavisë ishte në të njëjtën kohë humbje e rëndësishme e pozicionit rus në Ballkan. Kosova ishte guri i fundit i dominosë, por edhe më dramatiku, sepse siç nënvizon diplomati rus, bombardimi i Serbisë përfaqëson një sërë thyerjesh të ligjit ndërkombëtar, por edhe vulosi fatin e Sllobodan Millosheviçit. Madje sipas tij, kriza jugosllave përçonte me vete edhe kaosin e politikës së Jashtme ruse. P. sh në rastin e goditjes amerikane mbi serbët e Bosnjës në majin e vitit 1995, sipas tij, Moska, mund të kishte një reagim tjetër. Një dalje nga Grupi i Kontaktit, publikim i çështjes, pra “gjeste dramatike” siç i përkufizon Adamishin. Në finale mund të merret me mend se fitorja mbi Millosheviçin, është sipas kësaj analize, fitorja e fundit e Perëndimit mbi Lindjen, ndonëse në bazament Jugosllavia është një krijesë historike perëndimore.
s.z
Add new comment