“Monitor” publikon të dhënat e “Telemetrix”: Telenovelat turke pushtojnë ekranet shqiptare ndryshon kryesimi në garën e TV-ve

Telenovelat turke pushtojnë ekranet e disa televizioneve kryesore, duke “imponuar” një model të debatueshëm të zgjedhjes së programacionit në kërkim të një shikueshmërie më të lartë. Rezistenca e Top Channel bën që ky i fundit të humbë kryesimin e audiencës, ndonëse mbetet i pashqetësuar nga kjo lloj konkurrence… “Monitor” publikon të dhënat e paraqitura nga kompania “Telemetrix” për audiencën e televizioneve kryesore në javën 6-12 prill 2015, matur në bazë të një teknologjie dhe sistemeve më të fundit në këtë fushë, që mundëson llogaritjen e audiencës në kohë. Sipas Telemetrix, “3 kanalet TV që kanë arritur Rating më të madh mesatar të javës janë Klan TV (6.4%), Top Channel (4.7%) dhe Vizion+ (3.1%)”. Në një speciale të “Monitor” një vit më parë, për javën 31 mars – 6 prill 2014, 3 kanalet TV që kanë arritur ‘Rating’ më të madh mesatar të javës ishin Top Channel (5.5%), Klan TV (5.4%) dhe në pozicion të tretë me një diferencë jo të vogël, Vizion + (2.9%). Këtë vit është TV Klan ai që ka marrë kryesimin, duke thelluar diferencën me Top Channel, ndërsa Vizion Plus vazhdon të ruajë vendin e tretë. “Asnjë prej këtyre kanaleve TV nuk dominon gjatë 24 orëve të ditës, por dallohet qartë konkurrenca e tyre midis fashave të ndryshme kohore”, – pohon Ermal Çela, Drejtor Operacional i Telemetrix.
Add new comment