“Kosova precedent për Krimenë”, tha Putin. “Krimea precedent për Preshevën”, thotë Musliu

Me nisjen e krizës në Krime hyri në lojë edhe krahasimi me Kosovën. Për palën ruse ky krahasim është identik dhe ndaj askush nuk duhet të ankohet. Por për një pjesë të madhe të opinionit shqiptar, Krimea nuk ka lidhje me Kosovën, madje edhe aktorët ndërkombëtarë e quajtën të turpshëm krahasimin e përdorur nga Putin. Sot kryeministri Hashim Thaçi e quajti lojën e precedentit të Kosovës të paqenë pasi “krahasimet mes Kosovës dhe Krimesë nuk janë aspak të qëndrueshme”( http://koha.net/?id=27&l=3488). Rasti i interpretimit të Milorad Dodik ha bukë veç, ndërsa serbët përgjithësisht i kanë qëndruar ftohtë këtij barazimi, pasi ai legjitimon edhe më tej pavarësinë e Kosovës. Mirëpo sot, drejtuesi i një partie shqiptare në Preshevë, Jonuz Musliu duket se në vend që të përfshihet në këtë debat, ka dalë me idenë që është Krimea precedenti, i cili ushqen të drejtën e shqiptarëve të Preshevës për t’u bashkuar me Kosovën. “Nëse Krimea e Ukrainës do t’i bashkëngjitet Rusisë, duke u thirrur në referendum, kjo gjë lehtëson proceset në Luginën e Preshevës për bashkim me Kosovën, sepse ne më herët kishim referendum të tillë për këtë”, ka thënë ai. Ministri serb për Kosovën, Aleksandër Vulin e ka quajtur këtë deklaratë si “cenim të integritetit të Serbisë”. Duket se loja e hapur nga Putini po nxit reaksione, të cilat edhe kështu mezi kontrollohen.
s.z
Add new comment