“Apasionata” e tjetërsimit

Vendimi i qeverisë për të lëvizur fakultetin e Gjeologji-Minierave nga godina e vet, ka provokuar reagime të mëdha. Natyrisht me këto reagime, që kanë dalë sot edhe në rrugë, janë edhe një pjesë e madhe atyre njerëzve që kanë përfunduar studimet në atë fakultet, apo edhe në korpusin univeristar, për shkak të lidhjes që ka procesi mësimor mes të dyja inxinierive, pra asaj të gjeologjisë dhe asaj mekanike e materiale, por edhe të solidaritetit të natyrshëm brenda politeknikut. Gjithsesi kryeministri ka begenisur sot protestuesit teksa ka zbritur shkallët e vogla të godinës së kryeministrisë, që i ngjan një kutie shkrepseje dhe ka siguruar se bëhet fjalë për një projekt të mirëstudiuar, nga i cili përfitojnë të gjithë. Pra duke i bërë pak vend edhe Gjykatës së Lartë, inxhinierët e Gjeologji Minierave, mund të qëndrojnë aty, ndonëse të strukur tanimë edhe formalisht në një qoshe të godinës, ku do të shkëmbehen me gjyqtarët më të lartë të Shqipërisë. Për të vijuar me ironinë e dikurshme simbolizuese për fakultetet, kryeministri duket se po bën çmos që të përligjë epitetin urithë për inxhinierët e Gj-M. Natyrisht qeveria ka tagrin ligjor të bëjë një ndërhyrje të kësaj natyre, të tjetërsojë prona dhe të ndryshojë përgjegjësitë e administrimit. Kështu bëri para disa kohësh me Qendrën Albanologjike që e çoi te Konvikti i Gjuhëve të Huaja. Kështu ka bërë edhe sot me Teatrin Kombëtar dhe atë të Operas dhe të Baletit, të cilit vetëm sa i ka ndryshuar përgjegjësinë e administrimit. Mirëpo këtu çështja nuk është vetëm te korrektesa jurdike, pasi ajo është vetëm njëra anë. Këtu është çështja te fakti se tradita dhe historia që me zor krijohen në këtë vend, duhet të na bëjë të gjithëve xhelozë. Ka qenë vetë ky kryeministër, dikur kryetar bashkie që erdhi në vëmendjen pozitive të qytetarëve me një projekt që u quajt “Kthim në Identitet”. Është e qartë se nuk mund të pranojmë që p.sh godina e Korpusit, sot seli e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Materiale, Tekstilit dhe asaj Elektrike, të kthehet në muze të Fashos, por me siguri do të pranojmë se identiteti qenësor i asaj godine merr kuptim te jeta universitare e saj. Dhe këtu do sjellë në vëmendje ajo që shkruante sot edhe Mero Baze kur fliste për Gjeollogji-Minierat. Nëse ka në Shqipëri një histori të vërtetë universitare, serioze dhe që përfillet si e tillë edhe në Perëndim, pra nëse historia e universitetit shqiptar ka diku një përmbajtje shkencore të qëndrueshme në kohë, ky është rasti i gjeologjisë dhe politeknikut. Do të mjaftonte vetëm “skanimi” i profesoratit për këtë. Ndonëse koha, prej 23 vitesh e flaku në rrugë dhe e “skualifikoi” si të “pavlerë” këtë kategori, kjo me siguri nuk i jep të drejtë askujt, megjithëse ka forcën dhe pushtetin, që me një të rënë të lapsit, të largojë njerëzit nga ajo që përfaqëson historinë e tyre . Aq më keq që nuk bëhet për nevoja që realisht përfaqësojnë interes publik, apo ndonjë emergjencë. Ndaj nuk është shumë e përligjur kjo “Apasionata” e tjetërsimit, e cila nëse ka vrullin e duhur, le të kërkojë të vendosë drejtësinë, aty ku sugjeronte edhe gazetari Mero Baze, te SHQUP-i.
skerdilajd zaimi

Add new comment