“Ëndrra kineze” tashmë një koncept edhe politik kinez. Tentativë të zëvendësojë “ëndrrën amerikane”?

Postuar në 11 Maj, 2013 11:47

 

E përjavëshmja Economist vihet në gjurmë të adoptimit nga ana e Presidentit kinez Xi Jinping të termit “Chinese Dream” dhe beson se ky term mund të jetë marrë “borxh” nga një artikull i gazetarit Thomas Friedman, kolumnist për New York Times. Edhe pse Friedman, nuk është i pari që të përdorë termin “ëndrra kineze” në një kolumne të tetorit të kaluar, duket se merita që fraza ka hyrë në përdorimin e klasës politike kineze i takon pikërisht atij. Për sa kohë Kina ka një boom ekonomik dhe një klasë të mesme në shtrirje të shpejtë, termi “ëndrra kineze” ka shoqëruar herë pas here këtë ngritje të Kinës. Termi është përdorur dhe në literaturën perëndimore, si në librin e Joe Studwell, “The China Dream: The Quest for the Last Great Untapped Market on Earth” (2003); apo në librin “The Chinese Dream: The Rise of the World's Largest Middle Class and What It Means to You” nga Helen Wang (2010); si dhe tek “The End of the Chinese Dream: Why Chinese People Fear the Future” i Gerard Lemos (2012). Termi po ashtu është  i njohur dhe për literaturën botuar në Kinë, ndër të tjera dhe “Ëndrra Kineze: Kina në një zhvillim paqësor” i Li Junru (2006); apo tek libri i Liu Mingfu-së “Ëndrra Kineze: Pozicioni I të Menduarit dhe ai Strategjik i një Fuqie të Madhe në Epokën pas-Amerikane” (2010). 

Por termi i përdorur nga Friedman ka gjasa që të jetë ai që e ka futur termin në fjalorin politik kineze, dhe Economist e gjurmon termin në shpërfaqjen e tij në shumë artikuj në kinezçe botuar nga media pranë Departamentit të Propagandës së Partisë Komuniste Kineze (që merret me propagandën). Nuk ka sesi të mos vihet re fakti që përdorimi i frazës deri dhe nga lideri suprem kinez, Xi, dukshëm e bazuar mbi “ëndrrën amerikane” (i vetmi term i njohur globalisht mbi ëndrrat) bëhet për të përcaktuar një nocion të qartë e imponues. Pavarësisht se artikulli i Friedman nuk lexohet dot në Kinë, sepse fuqia e madhe ekonomike e ka ndaluar sajtin e New York Times të ketë qasje nga brenda Kinës, që prej kohës kur e përditshmja amerikane botoi informacione mbi pasuritë përrallore të familjes së Xi Jinping (në foto).

k.c.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.