E sigurt që nuk do të jetë vetëm sipas Kushtetutës

Postuar në 10 Shkurt, 2012 04:26

Sali Berisha e ka administruar në mënyrën më të keqe të mundshme çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Për shkak të një defekti (mbase) sentimental që nuk e lejon të bashkëjetojë institucionalisht me këtë institucion, i shpalli luftë Bamir Topit duke mos e kandiduar. Sikur të ishte mbyllur me kaq, mbase nuk do të kishim filluar të flisnim për presidentin e ardhshëm tetë muaj para skadimit të mandatit të presidentit aktual. Nëse kjo ndodhi, fajtor është vetëm Sali Berisha. Por, jo pse vendosi të mos kandidojë më Bamir Topin për president, por sepse vendosi të imponojë një formulë për zgjedhjen e presidentit që do zëvendësojë Bamir Topin. E në këtë mënyrë, vendosi të imponojë edhe formulën, edhe presidentin. Është pak si tepër kjo!

Mirëpo, a ka mundësi që të përcaktosh se i kujt do jetë presidenti, por jo formulën për ta zgjedhur? Ose së paku, jo formulën e njëanshme? Deri pak kohë më parë, ndoshta nuk kishte mundësi. Dhe përsëri, për këtë shkak, fajtor ka qenë Sali Berisha. Fillimisht u përpoq, që përmes kalkulimesh antipolitike, të riciklonte në zyrën e kreut të shtetit Fatos Nanon, pavarësisht sulmeve publike që ky zbrazte prej kohësh kundër strukturave legjitime të Partisë Socialiste. Provokimi ishte sheshit e për pasojë, sjellja refraktare e zotit Rama lidhur me formulën e zgjedhjes së kreut të ardhshëm të shtetit ishte mëse e përligjur. Askush nuk duhej e nuk mund t’u ofronte socialistëve një emër me të cilin, tashmë, i lidhte vetëm e shkuara. Aq më pak Sali Berisha. Më vonë, filloi të afishonte vend e pa vend emrin e Jozefina Topallit, të cilën opozita e kishte detyruar, gati me forcë, të dilte fishek nga salla plenare e legjislativit. Kësisoj, qoftë kërcënimi, se procedura kushtetuese do t’i kërkohej për interpretim Gjykatës Kushtetuese, qoftë agresiviteti kundër emrave të mazhorancës, nuk ishin gjë tjetër përveçse reaksioni politik i opozitës kundër aksionit antipolitik të mazhorancës. Sepse, opozita nuk mund të pranonte e shpërfillur edhe se i kujt do të ishte presidenti, edhe formulën për ta zgjedhur.

Po sot, a është e mundur që çështja se i kujt duhet të jetë presidenti dhe, formula për zgjedhjen e tij, të ekzistojnë si dy njësi të ndara? Po! Sot kjo është e mundur dhe meritën e ka opozita. Ka një sfond të ri, ka një sjellje të re, ka një përpjekje të saj për të gjetur një pikëtakimi me palën tjetër. E shpalli zoti Rama vetë: “…nuk vendosim asnjë kusht për të diskutuar me palën tjetër…”. Pas kësaj nuk ka më alibi. Rrëzohen emrat, rrëzohet intransigjenca dhe mbi të gjitha rrëzohet formula krizë, “sipas Kushtetutës”. Ky është çasti fatlum që i ofrohet Kryeministrit për të mos gabuar më. Rruga për te presidenti tjetër duhet të kalojë përmes arsyes politike dhe përkundër spekulimit politik “sipas Kushtetutës”. I pari që duhet ta konsiderojë seriozisht këtë opsion është kryeministri. Për disa arsye: së pari, sepse në skenarin më ekstrem, ai ka 71 vota për ta zgjedhur kreun e shtetit. Pra, duke pasur në xhep produktin final, nuk ka asnjë motiv që ai të përjashtojë opozitën a priori nga përzgjedhja e një formule të ndryshme nga ajo “sipas Kushtetutës”. Hamendësimet se opozita do të keqpërdorte për obstruksion të procesit këtë të drejtë, janë pa asnjë bazë logjike. Opozita e di fort mirë se, nuk ekziston asnjë rrethanë politike që zgjedhja e presidentit të shkaktojë krizë, prandaj nuk ka pse i futet një qorrsokaku të tillë. Së dyti, zhvendosja e opozitës drejt një aksi kompromisi do ta linte Kryeministrin zbuluar, nëse nuk do të përgjigjej njësoj. Jo vetëm se do të përligjte tezën e përfolur mbi projektin për uzurpimin e të gjitha pushteteve, por edhe sepse, zhvendosja nuk është vetëm sjellje e opozitës. Drejt një formule që tejkalon atë “sipas Kushtetutës” janë edhe ndërkombëtarët, ambasadori Arvizu së fundi. Konsultimi, për të cilin ai foli, është shumë më pranë idesë së opozitës sesa formulës së Kryeministrit. Dhe së fundi, braktisja e formulës krizë “sipas Kushtetutës”, nuk do të thotë thjesht dhe vetëm një proces, politikisht i relaksuar, për zgjedhjen e presidentit por, edhe një prognozë optimiste për klimën elektorale të një viti më pas, të cilën Kryeministri nuk ka asnjë interes ta errësojë.

Është shumë e qartë se, për këto arsye por dhe të tjera të pathëna, Kryeministri do ta rikonsiderojë formulën e tij të ngurtë “sipas Kushtetutës”. Të cilën e zgjodhi me bindjen se kështu shmangte krizën, por që realisht rrezikon ta prodhojë atë. Sidoqoftë, është i lirë ta mbajë, por jo duke e imponuar si të vetmen. Sepse, është e sigurt që nuk do jetë e mundur.

Arjan Vasjari, Mapo

Comments

Submitted by koz (not verified) on

<p>Shume dakort me shkrimin e Vasjarit ne princip, por harrohet qe i vetmi qe eshte i interesuar per krizen permanente dhe intransigjencen pa kthim eshte Berisha. Ai eshte i vetmi qe shikon tek krizat ne Shqiperi dhe vecanerisht ato institucionale edhe rrugedaljen nga problemet e tij dhe qe ai krijon cdo dite. Berisha beson se kokefortesia e tij ne rastin me te mire per te do ti beje kundershtaret te pranojne me pahir vullnetin dhe planet e tij grandioze e gjoja mesianike, dhe ne rastin me te keq do ti detyroje ata te pranojne nje marreveshje te re ku perseri Berisha vendos ca hile apo kushte me te renda per kundershtarin apo siguron paprekshmerine e tij dhe te familjes se ngushte kur te ndodhe ndryshimi. Ai eshte si ai femija inatcor qe smund te pranoje kurre qe loja te dale qofte edhe barazim dhe per fatin e keq te shqiptareve loja e tij keto 20 vjet ka qene gjithe shqiperia, fatet e secilit prej shtetasve te mjere te ketij vendi te dhjere...</p>

Submitted by gimi (not verified) on

<p>PS-ja te mos te na caje shume trapin por te propozoje emra konkrete. Mjaft me kukamfshehti! dhe mjaft me keto afrimet me Nanon qe na bejne per te vjelle! Mjaft dhe me komisione si ai i Totozanit, se e pame me ceshtjen e romeve se sa i zoti ishte! Le te propozojne emrat e tyre haptasi, jo prapa perdeve, si rrjedhoje me pazare. Pastaj kuptohet topin ia lene PD-se ne dere, dhe barren e veshtire gjithashtu.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.