Kriza amerikane e borxheve i përfshin të gjithë

Për të kuptuar mosmarrëveshjen e sotme midis republikanëve dhe demokratëve për borxhin amerikan, është e nevojshme të kthehemi prapa në një ngjarje të ndodhur rreth 238 vjet më parë në portin e Bostonit. Më 16 dhjetor 1773 një grup kolonistësh nga Massachusetts-i u ngjitën në bordin e anijeve që u përkisnin East India Company dhe hodhën në det të gjithë ngarkesën e tyre. Aty, në një rebelim kundër taksave, filloi revolucioni amerikan.
Ngjarja ikonë në historinë e Shteteve të Bashkuara, nga e cila Tea Party merr emrin e saj, ndihmoi në krijimin e një përbuzje mbarëpopullore ndaj taksave që ka qënë gjithmonë në themelin e mendimit amerikan. Për njerëz që udhëhiqen nga parime të individualizmit të ashpër, vetmbështetjes dhe shpirtit të lirë, prezumimi i taksave të ulëta – që i korrespondon një qeveri e vogël – është një kod besimi, ashtu siç është të qënit nënë dhe të pasurit një simbol kombëtar.
Askush nuk mund ta kundërshtojë suksesin e gjithanshëm që këto parime kanë sjellë. Ato janë në themel të modelit ekonomik amerikan dhe ndihmuan për t’i bërë Shtetet e Bashkuara vendin më të fuqishën në botë. Por kjo ka edhe një problem. Dekadat e fundit, qeveria dhe shpenzimet e saj u bënë shumë të mëdha. Taksimi, nga ana tjetër, nuk ka mundur të mbajë të njëjtin hap me to. Përkundrazi, nën presidencën e George W. Bush-it, Amerika uli taksat edhe pse shpenzimet arritën majat. Me ardhjen në pushtet të presidentit Obama, shpenzimet kanë dalë edhe më tej jashtë kontrollit, pa u kompensuar me rritje taksash.
Megjithëse mund të duket e pabesueshme, Amerika, si e tërë, është ekonomi e taksave të ulëta, në krahasim me vende të tjera të zhvilluara. Por shpenzimet e saj qeveritare po i afrohen niveleve heroike të Europës. Për momentin hendeku i krijuar po mbushet me hua nga jashtë, një rrugë shumë e paqëndrueshme që bëhet edhe më shqetësuese nga presioni për shpenzime shumë të mëdha në të ardhmen si pasojë e nevojave dhe kërkesave të popullsisë në plakje. Diçka duhet të bëhet; ose Amerika të shpenzojë më pak ose të rrisë taksat.
Por përpara se të analizojmë rëndësinë e këtij opsioni, vlen të përmendim disa koncepte të gabuara lidhur me natyrën e krizës në fjalë. Të gjithë, që nga presidenti Obama, tek ish-sekretari i Thesarit Larry Summers, tek krey i FMN-së Christine Lagarde dhe tek ministri ynë i financave, kanë dhënë alarmin e një apokalipsi për pasojat e ekonomisë botërore, nëse Kongresi nuk e kapërcen ngërçin deri në afatin e fundit më 2 Gusht. Summers ka paralajmëruar se mospagesa e borxheve (default) do të jetë një Armageddon financiar.
Lagarde i ka tundur gishtin Amerikes dhe ka kërkuar arritjen e menjëhershme të marrëveshjes, siç bëri euro-zona që për momentin duket se i ka “zgjidhur” problemet e saj, sipas kreut te FMN-së. Po sa qëndrojnë këto skenarë? Nëse Amerika do të gjendej në pamundësi pagese, kjo do të shkaktonte një tërmet me përmasa shkatërruese, por në të vërtetë, kjo nuk do të ndodhë. Çfarë po luhet këtu nuk është një ngjarje ekzistenciale, por një lojë politike. Ditët e fundit ka patur luhatje në tregjet financiare, por në përgjithësi, investitorët nuk kanë shprehur shqetësim të madh.
Dhe ata kanë të drejtë të jenë optimistë. E vërteta është se zoti Obama nuk ka ndërmend të hyjë në histori si presidenti amerikan që falimenton shtetin, që në këtë rast do të ishte shkelje e amendamentit të kushtetutës që deklaron se “vlefshmëria e borxhit publik nuk vihet në diskutim”. Sado të fajësojë republikanët për këtë fatkeqësi, përgjegjësia bie direkt mbi të, sepse presidenti duhet të gjejë zgjidhje.
Por edhe sikur presidenti në inat e sipër të vendosë të hidhet nga shkëmbi, prapë default-i do të jetë i panevojshëm dhe jo real. Amerika ka fuqi pagese dhe nuk është si disa ekonomi periferike të euro-zonës. Palët thjesht nuk po arrijnë një marrëveshje për shpenzimet dhe taksat. Pra, kriza është politike, jo ekonomike. Për çështjen e defiçitit, një mjet i mirë do të ishte aplikimi i TVSH-së në shitje, por që kundërshtohet nga të dyja palët.
A do të qëndrojë ekonomia amerikane në nivelin e taksave të ulëta dhe traditave libertare apo do të bëhet e stilit Europian, me nivel të ulët rritjeje dhe me forcim të programeve sociale duke taksuar qytetarët për të financuar ato? Vendi nuk ka qënë kaq i polarizuar që nga koha e Luftës Civile. Nëse do të ishte e mundur që vendi të ndahej në dysh, dhe secila palë të shihte punën e vet, kjo do të përbënte një zgjidhje. Por, përfundimisht njëri nga zërat do të triumfojë mbi tjetrin.
Paradoksalisht, megjithëse lëvizja drejt një ekonomie të stilit Europian do të siguronte të ardhurat që vendit i duhen, kjo pashmangmërisht do të shënonte tërheqjen e gjatë të Amerikës nga hegjemonia ushtarake dhe ekonomike, duke u hapur rrugë kulturave politike më të reja, që nuk e kanë për zemër lirinë, të mbushnin vakumin e krijuar.
Fuqia ekonomike ka shumë të bëjë me besimin dhe perceptimin e saj si realitet. Spektakli që po bëhet me Amerikën, së cilës i mungon leadership-i i besueshëm politik që nuk mund të zgjidhë diferencat që kanë dhe që preferojnë më mirë të shtypin kartëmonedha se sa të përballen me sfidat ekonomike, është rrezikshmërisht shumë afër prishjes se balancave dhe harmonisë.
Amerika ka nevojë të zgjohet përpara se të jete shumë vonë.
Përktheu: Alfred Kola
Comments
Kam ndjekur me shume vemendje
Kam ndjekur me shume vemendje rastin e fundit te diskutimit te ndihmes greke,biles kam pare dhe nje grafik nga "Reuters" se cilat shtete kishin blere me shume bono te borxhit grek>E dini kush (?) sipas rradhes,Franca,Gjermania,Amerika,etj dhe kjo e benbte te sigurte dhenien e huase per te shlyer huate e meparshme,pavaresisht "nazeve" europiane.Keshtu eshte edhe me Ameriken.Edhe dikur e kam thene,jo profeci,te gjithe i tremben "dominose",e per rrjedhoje do te ndihmojne njeri tjetrin ne kete krize globale financiare,krize e moskthimit te borxheve te para ne afat "fajdexhinjve",te cilet tallen me "borxhet publike" te shteteve te ndryshme pasi do t'i paguajne "fukarenjte" e kesaj dynjaje,si numri me i madh i taksapaguesve...
Being American or not being
Being American or not being American? That's the question.
Add new comment