Lajme të reja nga ministri Cani, “Telegraf” shkruan se në dhjetor tentoi t’i kalonte OJF-së së babait 250 milionë lekë. Urdhri u anullua pas një telefonate nga Kryeministri

Gazeta “Telegraf” prej disa ditësh po raporton për koston financiare që i shkaktojnë buxhetit bordet e pafundme dhe këshillat mbikëqyrës, mbushur me emra që qarkullojnë nga ministritë dhe institucionet, duke firmosur në disa bordero. Por në datën 1 prill, “Telegraf” raporton edhe për një tentativë të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për të kaluar një shumë prej 250 milionë lekësh te një OJF private që drejtohet nga babai i tij. “Ministria e Financave duhej të bënte një pagesë në vlerën 250 milionë lekë të vjetra nga buxheti i kësaj ministrie, për llogari të subjektit privat (OJF)“Shoqata e Konsumatorit Shqiptar” që drejtohet nga babai i tij Islam Cani, me këtë objekt shpenzimi:“Veprimtari vëzhguese lidhur me freskinë e mallrave, sipas afateve të përcaktuara në standardet shtetërore, në tregun e lirë”. Urdhri u lëshua, mbështetur në një propozim dhe kërkesë të paraqitur tek ministri Cani, nga struktura vartëse “Drejtoria Teknike e Standardeve dhe e Cilësisë” pranë kësaj ministrie. Mbështetur në kërkesën e drejtorisë vartëse të standardeve dhe në projektin e OJF-së, “Shoqata e Konsumatorit Shqiptar” që e drejton babai i tij Islam Cani, ministri Cani e miratoi këtë projekt vrojtimi në treg, si “risi evolutive në sektorin e përditësimit të dhënave në sektorin e standardizimit të tregut”. Ende pa u ekzekutuar në thesar, urdhri u anulua prej ministrit Cani, pas një telefonate nga kryeministria”, shkruan “Telegraf”(http://telegraf.al/politike/ministri-kryetar-bordi-te-shoqat...). Nuk dihet sa qëndron një gjë e tillë, por fakt është se në faqen e Ministrisë së Financave nuk ka ndonjë përgënjeshtrim për këto xhevahire që nxjerr në dritë “Telegraf”. Përkundrazi ka njoftime të tipit: “Populizmi i opozitës kushton 18 miliardë lekë” dhe është fjala për propozimet e opozitës aktuale për të ulur taksën e qarkullimit dhe TVSH-në për energjinë. Ministri deputet i quan këto populizëm, në një shfaqje të pakontrolluar pacipërie, për sa kohë ishte programi elektoral i PS-së, kjo letër bakalli që i zë frymën edhe hapësirës virtuale, që sillte si premtim pikërisht uljen e TVSH-së për energjinë. Mund të thuhet që “nuk mundet ta bëjmë”, por jo që ky na qenka një populizëm i opozitës. Nga ana tjetër gazeta “Telegraf” raporton që babai 91 vjeçar i ministrit Cani qenka anëtar bordesh prej vitesh. Edhe njëherë, ky është në informacion që duhet marrë me rezervë, por këtu: http://telegraf.al/politike/kasaphana-vjetore-me-bordet-sa-k..., jepen të dhëna konkrete, emra dhe pozicione personash konkretë. Sa kohë nuk ka përgënjeshtrim, ato merren si të vërteta. Do duhet të kujtojmë se ky ministër që po bën zap financat dhe po disiplinon të ardhurat, gjatë diskutimit të buxhetit doli me një propozim shumë interesant: uljen e akcizës së pijeve energjetike. Po ky propozim vallë, nuk ka kosto për buxhetin? Doli asokohe edhe pala austriake që pranoi se kishte lobuar për këtë gjë, duke shtuar se ne lobojmë “për interesin tonë”. Propozimi nuk u miratua, sepse deputetët socialistë në Komisionin e Ekonomisë ia thyen hundët ministrit, të cilit siç raportonte edhe gazeta “Shekulli” para disa javësh, edhe kryeministri nuk ka se çfarë t’i bëjë, pasi “nuk ka dhënë dorëheqje nga mandati i deputetit”.
s.z
Comments
u zgjua ky morri i verdhe.
<p>u zgjua ky morri i verdhe.</p>
Add new comment