Një përmbledhje e përballjes mes deputetit Tom Doshi dhe dyshes Rama-Meta

Çështja “Doshi” ka ngritur shumë shpejt një mjegull të krijuar nga deklarata, qëndrime, mesazhe të koduara apo shantazhuese, që nuk po lejon abstragimin e arsyeve të këtij shpërthimi. Vetë z. Doshi nuk ka sqaruar se cilat janë divergjencat konkrete me kryeministrin apo me kreun e Kuvendit, çfarë motivesh mund të jenë për projektimin e likujdimit fizik të tij, siç edhe ai pretendoi në deklaratën pas përfundimit të mbledhjes aë Grupit Parlamentar. Për këtë arsye meriton të risillet gjithë dinamika e deklaratave të deputetit në fjalë, përfshi këtu skenarët dhe versionet që kahet e politikës po japin për një projektim vrasjeje, i pamohuar nga askush deri më tani.
Fërkimi i parë i deputetit Doshi me qeverinë, posaçërisht me ministrin e Brendshëm, erdhi më 22 korrik 2014, kur ai deklaroi në Komisionin e Ligjeve se tepelenasit po mbushin radhët e policisë. Një akuzë kjo e bërë edhe nga opozita, por pëshpëritur edhe nga përfaqësues të tjerë të mazhorancës. Qysh atëherë e deri së voni, ka patur një heshtje, të tillë që askush, për asnjë çast, nuk ka nuhatur apo insinuuar publikisht për tensione. Kjo mund të vihet re edhe nga fakti se në profilin e vet në “Facebook”, z. Doshi më datën 10 janar ka postuar këtë status: “Falenderoj të rinjt shkodranë për mbeshtetjen që i japin Partisë Socialiste. Kjo strukturë do jete edhe baza jonë per fitoren e bashkisë, gjë e cila është e sigurt. Me nje strukturë rinije te fortë sfida e bashkise do kapercehet me shumë energji. Së bashku drejt fitoreve të medha”. Është pra një mesazh që flet për normalitetin politik brenda radhëve të PS-së, madje për shpresën e deputetit socialist se PS-ja do të fitojë edhe Shkodrën. Ky normalitet do të prishej tri javë më parë kur ish-kryeministri Sali Berisha, do t’i drejtohej Doshit në Parlament me deklaratën se “ti ke mbyllur gojën se të ka kërcënuar Shullazi”. (http://botasot.info/shqiperia/377214/3-jave-me-pare-berisha-...). Dhe që nga fillimi i muajit shkurt e deri më sot, gjërat kanë precipituar me shpejtësi. Kështu, pas insinuatave të Berishës, 7 ditë më parë, gazeta “Sot” citonte deputetin të shprehej i pakënaqur me qeverisjen. “Populli po vuan dhe vendi ka nevojë për politika zhvillimi dhe jo kafshatë. Ekonomia nuk bëhet me klientelizëm dhe energji negative. Partia Socialiste duhet të mbajë premtimet ndaj popullit. Nuk jemi në rrugën e duhur". Më tej në Grupin Parlamentar, ku mungonte kryemimistri, Doshi do të rëndonte akuzat: “Qeverinë duhet ta analizojë grupi parlamentar ai që e ka votuar. Por, këta ministrat tanë nuk i përfillin më deputetët, madje nuk i hapin as telefonin sepse u duhen deputetët vetëm për fushata që të mbledhin vota. Këtë arrogancë, nuk e kanë pas as ministrat e Berishës. Ata ministra që nuk kanë mbështetjen e grupit parlamentar duhet të ikin. Drejtoresha e tatimeve, Griselda është bërë si “Vejusha e zezë” e Eskobarit e cila ka vënë nënën, motrën dhe vëllain si sekserë që punojnë për përfitimet e tyre. Drejtoresha e doganave ka burrin e saj sekser. Kjo është e vërteta”. Deklarata këto që kaluan në heshtje, ose u panë si kërkesa personale nga kryeministri, i cili udhëtoi drejt Rumanisë, në një vizitë ku ishte i pranishëm edhe kreu i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi. Më 26 shkurt Doshi doli hapur para mediave me deklaratën e fortë me të cilën shpalli luftën me kryeministrin. Dhe ku duhet thënë se ka brenda edhe qëndrime mirëfilli politike: “nuk ka dhënë asnjë investim për Shkodrën. I gjithë buxheti është përqendruar në jug...Do t’ja bëj me dije Edi Ramës që që sot e tutje, mes meje dhe tij nuk ka më paqe dhe do ta shohin se kush është i humbur prej kësaj situate. Kur të flas unë, do t’i dridhen themelet maxhorancës dhe qeverisë. Unë përfaqësoj të gjithë elektoratin e Shkodrës. Kam 10 vjet që jam në politikë, kam drejtuar të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe lokale dhe dihet se çfarë fitoresh ka pasur PS në Shkodër, por Edi Rama është mosmirënjohës, bukëshkelës për mua dhe ata që e votuan në Shkodër dhe do ta shohë edhe në zgjedhjet lokale”. Kjo deklaratë e fundit ka shumë rëndësi pasi jep një fotografi të negociatave përmes gjuhës së forcës që jep pesha elektorale, mes deputetit dhe kryeministrit. Jo më kot Doshi nënvizon se sipas tij, “përfaqëson elektoratin e të gjithë Shkodrës”. Bashkia e qytetit më të madh të Veriut përfshin kësaj radhe edhe pasuri si Velipoja dhe për këtë arsye interesat në një zonë të tillë janë shumë të mëdha. Velipoja, Dajçi dhe Dukagjini, ishin ndër zonat që kundërshtuan ndarjen e re territoriale edhe me protesta si ato të 26 korrikut 2014. Duke patur parasysh të gjitha këto, duhet të pranohet si opsion se një nga arsyet e divergjencave mund të jetë emri i kandidatit për Bashkinë e Shkodrës. Pra pushteti mbi këtë bashki. Këtu duket se Doshi nuk ka marrë atë që priste, ose ndihet i përjashtuar, përderisa nga 10 janari deri në mes të shkurtit ka ndryshuar radikalisht qëndrimin. Pati insinuata se ai është takuar me Sali Berishën, ndonëse zëra të tillë u mohuan, por një thashethem i tillë çon në dyshimin se PD-ja do të bëjë gjithçka që të mos lejojë që pushteti lokal në Shkodër të kalojë majtas. Dhe me nxjerrjen e Doshit nga radhët e mazhorancës ajo merr një aset shumë të fortë në dorë. Kjo mund të kuptohet mirë po të shihet se probleme me emrat, PS-ja ka patur edhe në zona të tjera ku po aplikon pastrimin e të vjetërve.
Akuza për atentatin dhe nxjerrja e emrit të Ilir Metës
Elementi që bie më shumë në sy në akuzën e Doshit pas përjashtimit është përmendja për herë të parë e Ilir Metës, madje duke e cilësuar atë si aktorin kryesor të mazhorancës. “Edi Rama sot ka një tutor që është Ilir Meta, i cili ka urdhëruar vrasjen time dhe të Mhill Fufit. Kam 5 muaj që ia kam bërë të qartë këtë gjë, jo vetëm Metës e Ramës, por edhe kryeprokurorit të Përgjithshëm e prokurorit të Krimeve të Rënda. Këtë ia kam bërë të ditur edhe Senatit Amerikan. Personi që e ka marrë përsipër për ta kryer këtë akt është takuar me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Kam prova për këtë që them. Nuk shkoj te asnjë parti tjetër, por jam në gjendje që të krijoj parti të re, madje të dal me 60 kandidatë në të gjithë Shqipërinë”, tha ai. Këto ditë, në mjediset e PS-së kanë qarkulluar informacione jozyrtare se Ilir Meta ka rënë dakord, madje ka nxitur përjashtimin e Tom Doshit nga PS-ja. Është e qartë se një dakordësi nga Meta i ka dhënë kryeministrit forcën e duhur për të adoptuar atë qëndrim që edhe mbajti, duke shtruar kërkesën e përjashtimit me fjalin domethënëse që “t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me PS-në, dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme”. Edhe njëherë, duhet tërhequr vëmendja te mosdhënia e një arsyeje për të gjithë këtë skenar që parashikon likujdimin fizik të deputetit Doshi.
Kundër akuza dhe versionet e ndryshme për atentatin
Versioni i dhënë nga Doshi është kundërshtuar zyrtarisht nga Ilir Meta, i cili për t’u shprehur nxori kreun e Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho që tha: “Me cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë para disa muajsh më është bërë e ditur nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta lidhur me pretendime e shprehura nga deputeti Tom Doshi se ai kishte patur informacion se po përgatitej një atentat ndaj tij dhe deputetit Mëhill Fufi, pasi persona të afërt me ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe më konkretisht kunati i tij z. Agim Rama, kishin ofruar shuma të konsiderueshme deri në 500 mijë euro për eliminimin fizik të tyre me qëllim destabilizimin politik të vendit duke synuar të fajësojnë për këtë akt Kryetarin e Kuvendit z. Meta. Pasi u informova nga z. Meta për këtë çështje, u thirr Ministri i Brendshëm, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, të cilët u vunë në dijeni për informacionin dhe bisedën e bërë nga z. Doshi dhe meqenëse kjo u vlerësua si një çështje që kishte të bënte jo vetëm me një akt kriminal, që po përgatitej, por edhe me shqetësimin se po vihej në rrezik jeta e deputetëve të mësipërm, ju kërkua atyre të zbardhej menjëherë kjo çështje si edhe të viheshin në mbrojtje të dy deputetët që pretendohej se ishin të rrezikuar për jetën.
Sot, pa komentuar deklaratat e ndryshme të deputetit Doshi të bëra në kohë të ndryshme sipas rrethanave dhe situatave politike, si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare kërkoj që faktet e pretenduara prej tij, qofshin ato video e gjithçka tjetër, të cilat në qoftë se nuk dorëzohen sa më parë të sekuestrohen nga Policia dhe Prokuroria, së bashku me personat e tjerë të implikuar në këtë çështje t’i denoncojë duke iu drejtuar organeve të drejtësisë për të hetuar vërtetësinë e tyre, për t’i zbardhur së më parë. Ndërkohë i kërkoj përsëri Policisë së Shtetit të vijojë marrjen në mbrojtje të dy deputetëve Doshi e Fufi të kërcënuar për jetën, sipas z. Doshi”.
Nga kjo deklaratë duket se qeveria dhe organi i akuzës janë informuar për atentatin nga Kuvendi, pra Ilir Meta, që në këtë rast sipas Brahos, ka vepruar në rrugë institucionale. Braho nuk mohon çështjen, por implikon Sali Berishën në një skenar gjithsesi inkoherent, sa kohë është e paqartë sesi do të destabilizohej vendi nga një vrasje e një deputeti të mazhorancës duke ia faturuar akuzën kreut të Kuvendit. Vetë Berisha, por edhe PD-ja, sot janë përpjekur që të ruajnë fokusin e akuzës mbi Edi Ramën, duke e kaluar në plan të dytë Metën. Berisha madje shkruante se Meta ka vepruar me porosi, ose me pëlqim të Edi Ramës, në ndryshim nga Doshi që deklaron një rol krejt të kundërt për kreun e LSI-së. Të dyja palët po flasin për përpjekje për destabilizim të vendit dhe në këtë dritë, qëndrimi i ambasadës amerikane dhe i prezencës së BE-së, shërbejnë si frenues, duke legjitmuar veprimin e PS-së. Me këtë rast do sjellë si version edhe ai që dha gazetari Artan Hoxha në “Opinion”, sipas të cilit madje, ka dyshime se ata që u vunë për të eliminuar Artan Santon, janë të njëjtë me ata që do të likujdonin dyshen Doshi-Fufi. Ky është një version që duhet trajtuar nga Prokuroria e cila nuk ka folur ende, aq më tepër që për vrasjen e Santos, m. i Brendshëm u shpreh se hetimet kanë ngecur. Doshi thotë se ka një video 37 minuta, ku sipas sqarimeve të A. Hoxhës është vetë vrasësi i paguar që rrëfehet, e ndaj të cilit madje është kryer atentat. Janë pra të gjitha arsyet që këto hallka të zbardhen para zgjedhjeve, pasi përndryshe forca e shantazhit dhe e dyshimit priren të ndezin situatën. Në planin politik, me këtë akuzë, deputeti i Shkodrës, ka zbuluar edhe një nivel shumë të madh të bashkëpunimit mes Kryeministrit dhe Kreut të Kuvendit, pra PS-së dhe LSI-së, forca këto që sipas deklaratës së Ylli Manjanit dje në “Ora News”, po “ecin drejt një projekti të një të majte të konsoliduar”. Dhe një e majtë e tillë duket se shqetëson shumë shpirtra, brenda dhe jashtë PS-së, sa kohë që leksioni që e majta zyrtare në Shqipëri mori që nga viti 2004, është se ndarja kishte faturë shumë të lartë për të. Pra nuk mund të jetë më opsion.
s.z
Comments
Te doli fjala o Muc!
<p>Te doli fjala o Muc! Koalicioni i qelbesirave the dhe i tille doli. Dava kriminelesh e hajdutesh jane, nga Doshi e deri te Rama. I ka pa zoti qe per momentin opozite eshte nje si Berisha qe populli nuk do me e pa me sy, po kriminel i ke dhe keta te majtes. </p>
Ke shume te drejte Albi, per
<p>Ke shume te drejte Albi, per fat te keq popullit shqiptar i eshte dashur te zgjedhe midis dy mutrave. Eshte zor te thuash cili mut eshte me i mire se tjetri, se tek e fundit te dy, mutra jane.</p>
Add new comment