Mendime të ndryshme për ikjen e kosovarëve. Nga ideja e përjetshme për rolin e shërbimeve serbe, e deri te tallja dhe cinizmi i mediave perëndimore

Postuar në 28 Shkurt, 2015 12:51

Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë ka organizuar një takim me përfaqësues të institucioneve fetare nga Kosova dhe Maqedonia për të trajtuar çështjen e emigracionit të shqiptarëve. Një theks të veçantë në këtë drejtim mbahet te ikjet e fundit, që për çudi po quhen Shpërngulje. Në këtë takim, siç raporton “Top-Channel”, ka dalë në sipërfaqe edhe teza se këtë emigracion e shtyjnë edhe shërbime sekrete të huaja, më së shumti ato serbe. Një tezë kjo që e kemi dëgjuar qëkur kemi lindur e me siguri deri sa të kemi ymër në këtë dynja. “Ne nuk kositim livadhe, as nuk vijmë nëpër xhami, por po e mbikëqyrim Serbinë, ta dijë mirë ajo. Popat serbë më 14 janar kanë dorëzuar tekstin në Departamentin e Shtetit për pronat e serbëve në mesjetë. Këtu është atentati dhe mikrobi. 22 agjentura të popave po punojnë në Kosovë. Ne mund të na shesë mend dikush, por nga Serbia në Hungari nuk shkohet me letërnjoftim, por me pasaportë të Sebrisë”, theksoi Hakif Bajrami, historian. Pra shërbimet serbe po ia dalin me sa duket që herë me dinakëri, e herë me para, me lloj-lloj marifetesh që të prishet gjaku vetëm t’i dëgjosh, të realizojnë atë shpërngulje që nuk e realizoi dot i gjithë shteti serb kur e kishte Kosovën nën administrim të vetin. Pyetja që lind është e thjeshtë: A mund të manipulohet një njeri, të lërë vendin e tij, nëse aty jeton mirë? Me siguri që jo. Kështu që edhe kjo teza e UDB-së që po bën çudira prej një shekulli, nuk qëndron si shpjeguese e gjithçkaje. Vetë institucionet e Kosovës nuk po dinë t’i japin shpjegim ikjes, duke konstatuar gjithsesi një element që ka shumë rëndësi: Nuk po ikin vetëm të varfërit. “Është shtresa e mesme që ikën”, thotë sociologia Nita Luci, cituar nga gazeta “Zëri”. Terma këto që e shtojnë më shumë iluzionin e një vale çubrilloviçiane të shpërnguljes aktuale. “Zëri” sjell në vëmendje edhe sjelljen cinike të mediave perëndimore, kryesisht ato gjermane dhe zvicerane në lidhje me këtë dukuri. ““Ata ikin jo nga skamja, por për më shumë luks”, pohon njëra gazetë gjermanofone”, shkruan “Zëri” që shtron pyetjen: “Sajojnë mediat perëndimore qëllimisht rrëfimin këshzu apo vërtet kosovarët vuajnë për më shumë luks?”. Kësaj pyetje i do shtuar një pyetje që na intereson edhe ne në Shqipëri: Nëse do të ekzistonte e drejta për të qëndruar në BE, sa shqiptarë do të linin Shqipërinë? Do duhet të supozojmë që përgjigja do anonte nga ata që mendojnë se janë shumë shqiptarë që duan të ikin. Mirëpo Gjermania duket se po vendos kufijtë në Europë, edhe sepse nuk përballon dot më fluks emigrantësh. Çështja është se nga rituali i deklaratave të ambasadorëve dhe qeveritarëve, po shkohet te cinizmi i mediave, të cilat së fundmi i kemi parë të tallen edhe me Greqinë, apo edhe të përhapin frymë racizmi ndaj Rusisë në kontekstin e krizës ukrainase. Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” shkruante pikërisht këtë gjë vetëm dje, duke sinjalizuar kështu se ideja e një unioni të brendshëm, brenda vetë BE-së, menduar fillimisht nga Franca ka jo pak mbështetës.
s.z

Comments

Submitted by Stefan H (not verified) on

<p>Po te qe se Serbia do kish kaq influence tek shqiptaret, ajo do ts kishte bere ate kur ende kishte pushtet ne Kosove. Fakulteti islamik me mire te shpjegoje&nbsp; ikjen drejt ISIS se per ikjen drejt perendimit nuk ngjit gjekundi ky shpjegim.</p>

Submitted by Paul Tedeschini (not verified) on

<p>Pse nuk shkojne ne Turqine e Shefqet Krasniqit kosovart?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.