Përmbytjet/ Ristani: Qeveria s’do të dëmshpërblejë banorët. Tahiri: Ti u përmbyte nga lloj-lloj substancash, pastaj numërove votat

“Panorama” zbardh qëndrimet e ndryshme të deputevë, duke zhvendosur rendin e ditës te çështja e përmbytjeve në jug të vendit. Pavarësisht rendit të parashikuar në seancën e sotme plenare, orientimi i debatit ka qenë pikërisht problematika e ngritur pas përmbytjeve. Deputeti i PD-së, Arben Ristani i kërkoi qeverisë dhe kryeministrit Rama të shpallë gjendjen e emergjencës. Por sipas tij, shumica nuk do ta ndërmarrë këtë veprim pasi nuk do të dëmshpërblejë banorët e prekur nga përmbytjet. “Do bëni shtet ju, do bëjë shtet dordomuzi duke futur njerëzit në burg. Duhen mbrojtur jetët dhe pasuritë e shqiptarëve. Atëherë mund të themi se po fillojmë të bëjmë shtet. Kjo kërkon burra të rritur dhe jo kalamaj. Rama duhet të vinte këtu dhe të jepte llogari. Ai fshihet dhe lë fukarenjtë në mëshirë të fatit. Ajo që ne kërkojmë është të zbatohet ligji për emergjencat civile. Nuk e shpallin gjendjen e emergjencës se nuk duan t’u dëmshpërblejnë për dëmet e shkaktuara”, tha Ristani. Si kundër reagim ka qenë ai i ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri i cili tha se: “kur vendi përmbytej sa herë, ky zotëria përmbytej në lloj-lloj substancash që i ka qejf, për të numëruar dhe votat pastaj. Megjithatë një të vërtetë, një parafolëse deputete e opozitës e tha, nuk di pse e pati atë moment sinqeriteti kur tha se jemi në atë situatë për shkak të rrënimit shumëvjeçar. Është e vërtetë që natyra përmbyt, por qeveritë përmbytin më keq kur qeverisin në mënyrë të hatashme si keni bërë ju 8 vjet duke gënjyer edhe kur kishit mundësi të bënit ndonjë gjë për qytetarët”. Duke ironizuar me ndihmën që opozita po jep për zonat e përmbytura, Tahiri ka thënë se kjo mund të jetë një ndjesë e justifikuar e gjendjes në të cilën opozita la rezervat e shtetit kur la pushtetin. “As fasulet nuk i kishit lënë, nga 30 mijë që duhet të linit, nuk besoj se ju shfaq të përgjegjshëm para qytetarëve. Dëgjoja dje disa që qeveria të blinte çizme, 6 palë çizme latë në rezervat e shtetit kur latë detyrën, ashtu si latë arkën e emergjencave bosh, e latë me 570 dollarë gjithsej, kur latë detyrën kësaj qeveri i thatë po ju lëmë mundësinë për emergjencat, sa një e treta e rrogës së ish-kryeministrit, kur buxheti në janar 2013 ishte i plotë, por atë buxhet 1.2 milionë dollarë e shpenzuat para zgjedhjeve pa pasur emergjenca, ku i çuat lekët. Shqiptarët duhet të dallojnë, ju që boshatisët edhe arkën e emergjencave dhe rezervat e shtetit sot flisni, shpifni, a thua se nuk e latë ju këtë vend në këtë derexhe”, tha Tahiri.
l.v
Comments
Shume gjate flet edhe ky
<p>Shume gjate flet edhe ky Tahiri, madje duke perseritur. Me zor e kam degjuar deri ne fund. Nuk kane ekshillatre keta te Rilindjes qe t'u thone qe te flasim me shkurt, perfshi edhe Rama, sepse populli eshte i lodhur. Psh Tahiri te fliste per masat qe ka mare dhe kaq, s'kishte nevoje te bente krahasime te pafund me kohen qe ishte para 23 qershorit. Humbje kohe dhe merziti, madje edhe humbje te medjes per te mesuar me te vertet se cfare eshe bere keto dite dhe si do ecet me tej.</p>
Add new comment