INTERVISTA/ Zaim Kuçi, ish-Atashe i Mbrojtjes i RSH në Paris: Në Francë nuk ka islamofobi, terroristët janë të skeduar por nuk u zbulua misioni i tyre për të kryer aktin

Leonard Veizi
Zaim Kuçi, ushtarak karriere me gradën e kolonelit të ushtrisë shqiptare, por tanimë në pension, bën një analizë të asaj çfarë ndodhi të mërkurën e 7 janarit brenda redaksisë së gazetës “Charlie Hebdo”, në Paris. Kolonel Kuçi është njohës i mirë i jetës politike dhe ushtarake të Francës, për shkak të detyrës së tij prej disa vitesh si Atashe i Mbrojtjes së Shqipërisë në Paris, por edhe pse në këtë vend ka mbaruar studimet pranë Kolegjit të Lartë të Mbrojtjes.
...Kolonel Zaim Kuçi thotë se zbulimi dhe inteligjenca franceze në bashkëpunim dhe me FBI amerikane, me kohë kishin skeduar terroristët, por ajo që nuk u zbulua ishte misioni i tyre për të kryer aktin...
ResPublica - Përse terroristët sulmuan Parisin këtë herë?
Në një përgjigje të shkurtër do të thosha se Parisi u gjend për terroristët si një vend i menduar, i duhur për një show botëror për të demonstruar forcën që ata mendojnë se e kanë. Në një kënd tjetër shikimi, akti terrorist ka gjerësinë dhe thellësinë e tij të veprimit të dukshëm dhe shumë të padukshme, e paralajmëruar haptazi në hapësirë dhe kohë të shkuar, pra nuk është një situatë e re për sigurinë globale, së fundmi të afruar nga gjeopolitika e vitit 2014. Normalisht Franca është një vend liberal, tolerant, mund ta quash mikpritësja evropiane për emigracionin. Do të thosha se ajo bën kujdes për trajtimin e tyre duke u afruar atyre jo vetëm kushte ekonomike por më shumë dhe ato kulturore. Në këtë vend nuk bëhen dallime raciste, aty progreson i afti. Ligji zbatohet njësoj për të gjithë, është një model, shembull për europën moderne. Jam i mendimit se janë më tepër apo them se ata kanë doza më tepër liberale ndaj të huajve; kjo në emër të demokracisë që ata krenohen ta kenë aset të tyre, të jenë lider të saj për europën. Në vlerësim për sa më lart, situata e krijuar në Paris nuk është problem i brendshëm i francezëve me origjinë myslimane, ajo vjen jashtë kufijve të Francës që kupton vendet e Evropës perëndimore apo lindore janë të kërcënuar si dhe Parisi, sot a nesër kjo është për t’u parë dhe vlerësuar.
ResPublica - Është interesant edhe fakti që, në sheshet e Parisit kryheshin dhe kryhen të gjitha manifestimet paqësore, shpeshherë edhe të dhunshme për shkeljen e të drejtave në vendet e kontinenteve të ndryshme të botës, organizuar nga qytetarët e vendeve të origjinës.
Gjeografia e këtyre demonstrimeve ishte nga vendet evropiane lindore duke filluar nga, Ukraina e deri tek Siria; nga Afganistani e deri tek Mali, Çadi në kontinentin Amerikës së Jugut, e kështu plotësohej harta e manifestimeve të botës në qytetin e Parisit; kështu edhe për ne shqiptarët, u gjet gjenocidi serb i vitit 1999 si shkak demonstrimi. Parisi ishte vendi ku ne dilnim me parulla duke kërkuar të drejtat e popullit kosovar. Sigurisht, këto sjellje të botës mbarë të shprehura me manifestime ishin kosto sigurie për francezët, ishin shqetësim për qytetarinë franceze. Kjo është e veçanta e këtij qyteti i cili pothuajse çdo javë mbante mbi shpatulla këto situate të pakëndshme madje ai vet solidarizohej në emër të drejtave të njeriut. Në Paris është përqendruar trupa më e madhe diplomatike e botës. Për të ardhur tek rasti terrorist, mund të shkohet edhe në gjykimin se, ky akt në Paris vlerësohet nga ana e tyre si një armë “Dissuader” për të treguar forcën në realizimin e të ashtuquajturit Plan strategjik të ISIS, (në se ata do të jenë pjesë e këtij plani vrasës). Dyshimet shkojnë për një lidhje rrjeti me grupet terroriste. Ankthi është prezent edhe për faktin e vijimit të akteve, më keq se kaq; ata sapo u përgëzuan në rrjetet sociale nga Al-Qaida. Pra në këtë kontekst Franca nuk duhet të jetë target apo bazë nisje për fillimin e një lufte tashmë të hapur (të pjesës që ka dale në duel) të botës islamike për Europën dhe më tej botën edhe pse Franca është prezente me trupa në gjitha vatrat e nxehta të luftës në botë.
Personalisht e anashkaloj si shkak: Të vrasësh njerëz të pafajshëm (gazetarë) në emër të Allahut që nënkupton – një vizatim satirik të Profetit të sjellë një pushkatim - sipas meje nuk mund të merret si burim i kësaj masakre.
ResPublica - A u gjetën zbulimi dhe inteligjenca franceze të papërgatitur nga ky sulm?
Aspak, zbulimi dhe inteligjenca franceze dhe FBI me kohë kishin skeduar terroristët, por ajo që nuk u zbulua ishte misioni i tyre për të kryer aktin. Në historikun e akteve terroriste të kudo ndodhura në botë edhe në shtete me forca e mjete të sofistikuara si në SHBA, Londër, Berlin, Moskë, Finlandë, Japoni e tjerë nuk është mundur të parashikohen këto veprime terroriste.
Në analizën time, do të ishte mrekulli të parandalohej, por gjithsesi nuk kemi të bëjmë me paaftësi zbuluese, tashmë ndodhemi në një mjedis të ri gjeostrategjik, bota është në krizë dhe burimi i kësaj tragjedie kërkohet në formatin ndryshe. Kuadri gjeopolitik na thotë se bota është në konfliktualitet të një natyre krejt ndryshe me çfarë ne jemi përgatitur deri më sot, këtu duhet të ndalet e ardhmja për të parandaluar terrorin. Pas luftës së ftohtë analistët ushtarakë vrapuan të ndërtonin strategji për të përballuar një luftë asimetrike dhe shtetet lozën me element asimetrikë, më pas invazioni ushtarak u zëvendësua me subversionin ushtarak dhe ndërkohë në sigurinë globale po individualizohen aktorë me peshë gjeopolitikë deri në rrezikun e një lufte botërore. Përdorimi i instrumenteve të subversionit kundër vlerave humane, shtrembërimi i misioneve fetare për interesa gjeostrategjike apo përdorimi i tyre për motiv për lufte është një kërcënim real dhe i komplikuar. Krizat, rreziqet dhe kërcënimet me karakter ekonomik në këtë pesëvjeçar janë burimi i zhvillimit të tyre. Papunësia në rritje, sidomos tek të rinjtë është premisë për akt terrorist. Do të ishte viti 2014 ku turma a grup islamikë, në rreth 25 mijë luftëtarë, pretendojnë të kenë formësuar një ekstrashtet (ISIS) i vetëshpallur si “Kalifati Arab” nën një udhëheqës suprem që fetishizohet të jetë pasardhës i Muhamedit me synim për të kapur pushtet politik dhe të bashkojë territore me popullsi myslimane; nga Jordania, Palestina Liban, pjesë të Turqisë jugore, për të vijuar me Sirinë dhe Irakun. Në këtë situatë të krijuar bota realisht është e rrezikuar, aktet janë barbare, monstruoze; ato janë të pa fe.
ResPublica - Franca është një vend që u ka hapur dyert emigrantëve, a ka shumë njerëz të besimit islam në këtë vend?
Po, në Francë ka shumë të besimit islam, për vet faktin se ajo ka pasur shumë koloni në vendet e kontinentit afrikan, me besim islam. Ata jetojnë sigurisht në periferi të Parisit por do thosha se infrastruktura në këto lagje ishte vërtet e plotësuar dhe në se e krahasojmë me qytete të tjera të Evropës ose p.sh. Tiranën…, shumë larg. Kushtet ishin të tilla sa unë nuk i kuptoja dot kërkesat e tyre gjatë manifestimeve që ishin të shumta, më dukeshin qesharake kur i krahasoja me… Kultura franceze shkon edhe më tej, francezet janë për një familje të hapur, pa paragjykime, ku myslimanët me shtetësi franceze janë të integruar plotësisht, ata sot janë ngritur fuqishëm kundër këtij akti dhe më shumë se të tjerët. Atyre nuk iu intereson kjo situatë e re destabilizuese e krijuar qoftë dhe si opinion për bashkëjetesë me francezët. Në Francë, janë tashmë qytetarë francezë në rreth 6 milion myslimane.
ResPublica - Si është ndjenja e islamofobisë në Francë?
Islamofibi në Francë? Aspak. Shekull më parë aty lindi sllogani i famshëm: -Barazi, Vëllazëri, Liri - kohë që për pjesën tjetër të botës ishte një ëndërr. Parisi është vendi i letrave dhe luan me to. Në Francë, sipas meje ka shumë kulte fetare, për vet natyrën e veçantë të praktikës, të riteve të tyre dukej sikur dominohej nga myslimanët… M’u dha rasti ta njoh këtë vend si student dhe si diplomat, them se Franca është një perle e lirisë së mendimit, e të shprehurit, e tolerancës e mënyrës së jetesës. Sipas meje, i ardhur nga një regjim ndryshe fillimisht, madje e diskutoja se në Francë ka me bollëk liri, gjë e cila në globalizmin e sotëm keqpërdoret.
ResPublica - Ka pasur dhe forma të tjera të kërcënimit terrorist në Francë gjatë kohës që ju keni qenë me shërbim atje?
Jo si ky rast. Ajo për të cilën unë kam informacion gjatë misionit në Paris është fakti se shërbimi informativ ishte kaq i organizuar, kaq prezent dhe kaq operacional sa grupet terroriste janë shkatërruar që në krijimin e tyre. Francezët e mbështesin strategjinë e sigurisë së tyre në elementin “Parashikim” për të parandaluar situatën, krizën apo konfliktin pa u shfaqur ato. Ata harxhojnë forca dhe mjete për këtë element të rëndësishëm të fushës së luftimit dhe janë elitarë në këtë fushë. Periudha kur unë shërbeva (fundi 2010) ishte relativisht e qetë, viti që kaloi ishte ndryshe, ishte me acar në të gjitha fushat.
ResPublica - Si një ish ushtarak, çfarë do të sillje si opinion në fushën e vlerësimit të kësaj situate?
E përgjithshmja është se terroristët islamistë pretendojnë se luftojnë mbi baza teologjike duke vënë në divizën e tyre vargje nga Kurani dhe referime nga bëmat e Profetit, duke kryer operacione vrasëse me vulë islamike. Ne emër të traditës, etnicitetit, përplasjeve historike, ata kanë ngritur në ideologji luftën ndaj “armiqve të islamit”, “të pafeve”, “ithtarëve” “tokës së shenjtë” etj. Ky fjalor fetar mbulon natyrën e vërtetë të islamizmit të dhunshëm si sfidë totalitare moderne ndaj islamit tradicional të cilët kanë dënuar vazhdimisht veprimet e rrjeteve islamiste dhe demokracisë perëndimore moderne. Le t’i kthehemi individit: Individi- njeriu terrorist është një kafshe ekonomike, pa asnjë preference ideologjike, e cila ka gjetur në ekonominë e tregut hapësirën e përsosur për të kënaqur interesat thjesht vetjake ekonomike. Duke qenë se tregu publik është terreni ku terroristët manipulojnë dhe veprojnë, pikërisht këtu duhet të përqendrohet edhe lufta e kundërshtarit shtet për të çrrënjosur në origjinë këtë formë lufte të njerëzimit edhe pse paraqitet tepër e vështirë. Terroristet kërkojnë shtrirje, terren dhe pushtet me forma dhe mjete te modernizuara. Ata janë të mirorganizuar në format shteti, funksion hierarkik shoqëror të paraqitur si “vlere” deri në flijim. Gjeografikisht ata jetojnë në një terren të caktuar e të njohur, por janë shtetet dhe individët e fortë që i mbështesin e i lejojnë ata të veprojnë në mënyrë diskrete në shoqëri dhe të jenë pothuajse të padukshëm. Çdo organizatë terroriste prodhon një mitologji të vetën legjitimizuese, duke stimuluar ndjenjën e krenarisë së të qenit pjesë e kësaj aristokracie dhe te bashkëndarjes së këtij kodi nderi. Koha ka ardhur për asgjësim të këtyre individëve të fortë. Sot kërkohet një tjetër strategji ushtarake për të fituar luftën në gjithë gjerësinë e saj, kështu shtetet me fuqi ushtarake të fuqishme duhen avash avash të heqin dorë nga armatimet marramendëse me avione, tanke dhe nendetëse nukleare, por të zhvillojnë kapacitete ushtarake që janë operacionale për të vepruar lehtësisht në të tilla akte terroriste, pra të parashikojnë situatën. Udhëheqësit diktatorë po u ikën koha….
Tashmë erdhi koha që çdo shtet veças në hapësirën territoriale të tij dhe në bashkërendim/bashkëveprim me fqinjët, të planëzoje forca dhe mjete për veprime më efektive parashikuese për të parandaluar dhe asgjesuar në origjinë të krijimit të tyre, individë e grupe të mirëorganizuar terroriste që synojne të mbjellin panik mbi popullsinë, të cilët nëpërmjet veprimeve antinjerëzore kanë si objektiv goditjen e objekteve të mirësurvejuara/mbrojtura, të klasifikuara të rëndësisë së veçantë, si një formë për të demoralizuar për popullsinë. Nëse Njerëzimi dhe strategu Shtet nuk do t’i kushtojnë rëndësinë e duhur këtij fenomeni, terroristët do të jenë të parezistueshëm në përshkallëzimin e tyre planetar, duke krijuar dhe vepruar me forma dhe metoda më çnjerëzore; nesër, më të sofistikuar se sot… nevojitet domosdoshmërish strategji e re parandaluese, vepruese. Nesër do të jetë vonë. Evropa duhet të jetë e bashkuar, ajo duhet të investojë më shumë forca dhe mjete për parashikimin dhe parandalimin e aktit terrorist.
Së fundmi, realisht ndjej dhimbje për atë që ndodhi në Paris, shpreh solidaritetin tim dhe u shpreh miqve të mi francezë ngushëllimet për familjarët duke qenë shpirtërisht pranë tyre.
Nous sommes de tout notre cœur avec vous, la France!
Leonard Veizi
Comments
Burrë i mençur zotëria. E ka
<p>Burrë i mençur zotëria. E ka analizuar çështjen me maturinë e duhur. Ndër rreshta kuptohet qartë mesazhi se veprimi i zgjedhur nga terroristët nuk ka të bëjë fort me islamizmin. Viti 2014 ishte i vështirë për gjeopolitikën europiane. Ndaj dhe ne si pjesë e saj, kemi nevojë për "bagazhe" të tillë, që të na kthjellojnë mbi mendimet e perceptimet e kakofonuara në median vendase. Ndërkaq dhe të zbusë "filozofinë" e ca të tjerëve që vdesin të marrin në analizë mendimet e njerëve me përvojë dhe mend, e deri diku t'i kanalizojnë ato duke u vënë epitete të pamerituara. Për mua ishte këndvështrim i saktë. Përgëzime!</p>
Franca ka qene perandori. Ka
Franca ka qene perandori. Ka pushtuar gjysmen e botes dhe eshte qendra e qyteterimit. Al Kaeda duhet te kete frike nga Franca dhe jo Franca nga Al Kaeda.
Add new comment